Nga Parrena.com
Tashmë duket sheshit se lideri i PD – së po skalitet Ervin Salianji. Natyrisht, pasi Basha ta lerë drejtimin e kësaj partie. Mbrëmë në një emision televiziv shpalosi energjinë dhe agresivitetin e munguar prej shumë vitesh ndër demokratë, duke e derdhur mbi Skënder Gjinushin. Na nxorri mallin e doktor Berishës në të ri të tij, kur merrte zjarr politik. Pas kësaj trimërie, miqtë e Salianjit postuan njëzëri lavde e deklamacione për aktin e madh të këtij ylli në ngjitje brenda PD – së.
Por të qe vetëm “masakrimi” dje i Gjinushit, nuk do të mjaftonte për të gjykuar se ky djalë do të jetë kryetari i ardhshëm i demokratëve. Argumentat që të shpien tek ai pèrfundim janë të tjera. Së pari, Ervin Salianji bashkë me Grida Dumën, janë , si me thënë…zemra e Çadrës. Bashkë me Odeta Malen, që kur të telefonon për aktivitet, të prezantohet si njeriu i Bashës dhe pèrgjegjësja e diskutimeve që bëhen aty, këta mbajnë gjallë prej dy muaj e gjysmë Çadrën. As Sekretari i Pèrgjithshëm, as ai Organizativ, as kryesia a departamentet…thjesht kjo trio, ku shkëlqen Salianji, janë kolonat e Çadrës, për rrjedhim, koka e PD -së sot dhe promovimi për kryetar nesèr!