Klubi i Tiranës po përjeton një nga momentet më të errëta të historisë së tij dhe sigurisht që për legjendat bardheblu ky moment nuk është i lehtë. Nezihat Stërmasi nuk është një legjendë bardheblu por ka jetuar përkrah një të tillë, Selman Stërmasit, atij që hodhi bazat e këtij klub legjendar.
“Këtu vinin të gjithë lojtarët e Vllaznisë, Korçës, Vlonës. Unë gatuaja për 10-20 veta, që i sillte Stërmasi, se kjo dhomë ishte si han. Flinin, hanin dhe më pas të nesërmen shkonin për të luajtur”, ka treguar ajo në një intervistë për “Top Channel”.
Selman Stërmasi ishte pjese e klubit dhe jetonte me të deri në momentin kur emri i tij u bë 17 Nëntori, një veprim i papranueshëm për legjendën bardheblu, të cilën e hoqën nga puna për refuzimin e këtij ndryshimi.
“E gjeta në shtëpi, qante si fëmijë e thoshte, çfarë bëra, përse me hoqën”, janë fjalët e bashkëshortes 97-vjeçare, e cila është e sigurt se dashuria e tij për këtë klub ishte më e madhe se për gjithçka tjetër.
“Selmani të donte më shumë ty apo Tironën?”, u ngacmua ajo nga gazetarët. Përgjigja lë pak shteg për interpretim: “Tironën…Tironën…”