Home KRYESORE Serbi, dorëhiqet kryeministri Vuçiç…

Serbi, dorëhiqet kryeministri Vuçiç…

Ish-kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka dhënë dorëheqjen këtë të martë, në atë që rezulton edhe si afati i fundit përpara se të marrë detyrën e presidentit të vendit, pas presidencialeve të fituara bindshëm gjatë muajit të kaluar.

Këtë njoftim, ai e bëri përmes një letre të shkurtër të dërguar Parlamentit, ndërsa nga dita e sotme do të hyjë në pallatin presidencial për të pasuar kreun e shtetit në largim, Tomislav Nikoliç.

Vuçiç, i cili është edhe kreu i partisë konservatore në qeveri, asaj Progresive Serbe, do të marrë tashmë një post kryesisht ceremonial, por gjithsesi pritet të ushtrojë mjaftueshëm pushtet përmes kontrollit të progresistëve dhe aleatëve të tyre në koalicionin qeveritar.

Deri në emërimin e kryeministrit të ri, që pritet të ndodhë nga mesi i qershorit, ministri i Jashtëm i Serbisë, njëkohësisht zv.kryeministër i parë, Ivica Daçiç do të shërbejë si kryeministër kujdestar.

Të martën, Vuçiç tha se do të përpiqet të forcojë lidhjet ekonomike mes vendeve të rajonit, shumica e të cilave janë ende në rimëkëmbje pas konflikteve të viteve ’90, e me synimin kryesor integrimin në Bashkimin Europian.

Për t’u bashkuar me bllokun, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërmarrin reforma të thella, shumë prej të cilave mund të duan edhe dekada. Gjithsesi, Vuçiç tha se derisa të ndodhë kjo, rajoni duhet të krijojë një aleancë ekonomike rajonale.

“Kjo nënkupton një treg të përbashkët për 20 milionë banorë, që do të kthehet kështu në një prej tregjeve më të rëndësishme të kontinentit të vjetër”, tha ai në Beograd. Më tej shtoi se, me këtë sipërmarrje “do të forcohen ekonomikisht edhe pozicionet tona në lidhje me BE-në”.

Vuçiç deklaroi më tej se do të përpiqet të rinovojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dikur pjesë e Serbisë, por që prej vitit 2008 ka shpallur pavarësinë, pas një lufte të përgjakshme mes dy vendeve dhe bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Por, me mbështetjen edhe të aleatit tradicional, Rusisë, por edhe disa prej vendeve të tjera të BE-së, Serbia mbetet e vendosur të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Share: