Nga Artur Zheji
Mbas zgjedhje së Ilir Metës, President, Rama e ndjeu sakaq veten më të fuqishëm dhe më të sigurtë në krye të PS. Vetëm 48 orë mbas zgjedhjes së Presidentit, që nënkupton largimin nga fushëbeteja politike, për së paku 5 vitet e ardhshme të sfidantit të tij më të “rrezikshëm” brenda të Majtës, Rama ndërmori me vrull të ripërtëritur, fushatën e spastrimeve në PS: për të bërë të tijat dhe vetëm të tijat, edhe ato pak centimetra katrorë pamvarsi, që disa personalitete të Partisë Socialiste, kishin falë historisë së tyre personale politike.
“Spastrimi” që filloi me Kokëdhimën, që pasoi me klimën e padurueshme për Blushin dhe Hafizin, me mosafrimin në asnjë rast të Rexhep Meidanit, me mbajtjen larg e me larg të Fatos Nanos, që e futi në këtë valle të politikës, përjashtimin e Arta Dades apo Namik Dokles, si edhe largimi përfundimtar edhe nga kujtesa politike e PS, e mjaft prej themeluesve, qartësisht mbyll ciklin e “pushtimit” përfundimtar të partisë, nga ana e kryetarit kryeministër.
Nga njëra anë duket si një “ndëshkim” i merituar, që Rama u dha një pjese të tyre, sepse, ishin të gjithë të përçarë dhe me shpresën, sepse shpresa vdes e fundit, që ay, Rama, do t’i thërriste një ditë apo do t’i vlerësonte veçmas… duke mos ngritur aq sa duhet zërin, në asnjë rrethanë kur shkeleshin njeri pas tjetrit shumë parime meritokratike.
Tani kupola e PS-së dhe deputetët e ardhshëm, janë dhe do të jenë mirënjohës ndaj kryeshefit suprem, të ndrojtur ndaj kryetarit dhe në shërbim të verbër të kryeministrit, që do të përfaqësohet gjithmonë nga një njeri i vetëm.
Superfuqia e Ed Ramës, arroganca përparon tashmë pa pengesa, ose e thënë edhe saktë, pa asnjë pengesë, si kryetari me pushtetin më absolut në Partinë Socialiste të të gjitha kohërave. I ngjashëm dhe i krahasueshëm, vetëm me Sali Berishën në PD, që, si edhe e kam thënë në mjaft raste, por nuk më ka besuar kush, është edhe, ai, Sali Berisha, figura më e adhuruar e Ramës. Modelin politik dhe autoritar, të të cilit ai, po kopjon me përpikmëri, duke e përzgjedhur ndër modelet e tjera që ofron politika shqiptare.
Në të vërtetë, Rama, është rrëfyer virtuoz dhe i talentuar përsosmërisht, në këtë “Albanian power game” (Loja politike shqiptare), duke tejkaluar çdo parashikim.
Duke zeruar çdo pengesë “idiote” që thirret gabimisht “moral”, ai është ndjerë dhe ka qenë i lirë të gënjejë çdokënd dhe për gjithçka, po aq sa shumica e kolegëve të tij në politikë, por më mjeshtërisht në kohët e sotme.
Duke u nisur nga parimi i thjeshtë, se çdokush dhe çdo gjë e ka një çmim, ai ka ofruar çmimin dhe ka marrë në këmbim shkëmbimin, pa përzier në këto operacione, as emocione, as parime dhe as “idiotësira të tjera” si këto… dhe si një nxënës i mirë dhe punëtor, ka përvetësuar deri në “state of art”, si artist i mirë dhe i lëvdueshëm që ishte apo është, maskarallëkun e mësuesve të tij maskarenj, duke i tejkaluar edhe këta të fundit, disa pash përtej.
Mësimi i parë ka qenë që në politikë duhen shumë para dhe si me magji, falë pushtetit, u bënë pirgjet me para, për shitblerje dhe blerje, për jetë luksoze dhe për të blerë adrenalinë. Sigurisht edhe për të blerë, si dikur lordët anglezë, edhe shumë zagarë, në parlament, në qeveri, në media. Duke u dhënë gjithmonë e më shumë çmimin e shtrenjtë apo të kripur, pasi që kryeministri nuk ka asnjëherë një krizë likuiditetesh, asetesh apo koncesionesh.
Mësimi i dytë. Mikun mbaje afër, armikun mbaje edhe më afër. Me termin “Mik”, duhet të nënkuptojmë në këtë rast, një pulë të majme që bën vezë të arta apo prej platini, që ka vota, që ka banda, që ka biznese… Ndërsa me armik, konkurentët politikë, të cilët edhe ata, njerëz janë dhe si thonë: “Peshqeshin e pëlqen edhe Mbreti!”
Ka edhe “Mësime” të dyta e të treta, por druhem se mund të biem në mërziti analitike, andaj përfundoj shkrimin duke thënë se “Këto ditë filloi periudha e vërtetë e Revanshit Rama!”
Dhe listat e hakmarrjes janë të gjata dhe kryeministri i shqyrton ato pa emocione. Emrat dhe qeniet njerëzore që marrin frymë nën këto emra, ai i sheh si numra dhe do të vazhdojë t’i fshijë si numra. Duhet ribotuar dhe riblerë libri “Kurbani” dhe kush e ka emrin aty, mirë është të bëjë plaçkat, sa ka akoma kohë dhe para për një biletë, vetëm vajtje. Por kujdes, “Kurbani” është ende një libër i vjetër, ndërkohë Rama, ka vazhduar ta shkruajë atë dhe t’i shtojë ca kapituj të tjerë… /360grade.al/