Nga Dritan Shano
Nuk ja vlen te kesh frikë nga precedenti. Asnjë progres shoqëror, ekonomik, politik, shkencor në historinë e njerëzimit nuk është kryer pa krijuar precedentin. Udhëtimi i Magelanit ishte i paprecedent. Rrëzimi i monarkisë në Francë ishte i paprecedent. Po kështu edhe ndalimi i skllavërisë dhe krijimi i Shteteve të Bashkuara. Vota e grave në Isle of Man në vitin 1881 ishte e paprecedent, njësoj si shpikja e penicilinës dhe teoria e relativitetit…. Themelimi i Partisë Demokratike për shumë shqiptarë ishte i paprecedent. Misioni i PD që kur është themeluar është krijimi i precendentëve. Të lirisë, asaj individuale, politike, ekonomike e shoqërore. Ky mision, mendoj se do vijojë të përmbushet vetëm përmes krijimit të precedentëve të panjohur më parë nga shqiptarët e vjetër e të rinj.
Çdo precedent që krijohet në interes të shumicës së shqiptarëve është i shenjtëruar të lërë gjurmë dhe i mbetet trashëgimisë shoqërore të këtij vendi. Garantimi i votës së lirë është i tillë. Kjo është detyra e Partisë Demokratike. Kjo është detyra e Lulzim Bashës. Dhe për këtë, që prej 18 shkurtit 2017 po merr papushim mallkimet e gjithë pushtetarëve dhe servilëve të tyre, por mbështetjen e shumicës së heshtur të shqiptarëve. Të të gjithë atyre që nuk u vërshëllen njeri.
Në fakt, Partia Demokratike nuk ka asnjë arsye të mos vazhdojë të krijojë precedent pas precedenti deri në krijimin e një sistemi tjetër vlerash nga ai i nënshtrimit, frikës, bindjes së verbër ndaj pushtetit dhe pushtetarëve. Një sistem vlerash të ndërtuar mbi lirinë, punën e ndershme dhe meritën.
Ky proçes jo rrallë është braktisur dhe ja ka lënë vendin lojës së pushtetit dhe zvetënimit prej tij. Të gjithë ata që janë të përfshire në këtë lojë, politikanë, pronarë mediash, bloggers, apo dhe bicnesmenë qeveritarë nuk duan t’ua prishësh lojën, fijet që i lidhin me njëri tjetrin, atë statuskuonë ku kanë krijuar komfortin dhe peshën e tyre mbi ngjarjet dhe jetën e të tjerëve.
Por të krijosh një precedent, thuajse gjithmonë lidhet me prishjen e statuskuosë. Me prishjen e pazareve dhe ndryshimin e rrjedhës së jetës se secilit të atyre që sapo përmendëm. Statuskuoja e sotme shqiptare ku këta lëvrijnë dhe pasurohen apo thjesht vegjetojnë, sheh parlamentin, bashkitë dhe administratën të mbushur me kriminelë, dhe vendin të kthyer në një plantacion me drogë ku punojnë skllevërit modern shqiptarë. Statuskuoja e sotme sheh sesi bastionet politike të Partisë Demokratike gjunjëzohen nën peshën e kriminelëve, frikës, varfërisë, dhunës, blerjes dhe i kalojnë për këtë shkak Rilindjes,– Kavaja, Kurbini, Dibra – jo se ajo u ka bërë kavajsve, kurbinasve apo dibranëve ndonjë të mirë. Statuskuoja e sotme sheh sesi është eliminuar proçesi politik dhe sesi sistemi politik ka rënë për shkak të blerjes së deputëteve dhe partive. Statuskuoja e sotme e konsideron Partinë Demokratike thjesht si dekor në parlament, dhe se 600.000 mbështetësit e saj duhet të marrin pjesë qorrazi në votimet e 18 qershorit 2017, jo ne ushtrim te te drejtes se tyre per te marre pjese ne zgjedhje – se zgjedhje s’ka, por dredhërisht vetëm e vetëm si stoli “demokracie” putiniane në gjoksin e Edi Ramës, që ai të ketë mundësi të thotë se ai është pluralist demokratik dhe jo monist “demokratik”.
Çdo precedent krijohet nga nevoja. Ne kemi nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme, pasi ato janë e vetmja kontratë sociale që garanton bashkëjetesën e shqiptarëve. Kemi nevojë për zgjedhje dhe jo për votime me rezultat të paracaktuar që më parë. Prandaj kemi kërkuar që me 18 shkurt të këtij viti një qeveri teknike që të garantojë zgjedhjet pluraliste në këtë vend. Ndryshe nuk marrim pjesë në farsën e votimit monist.
Kujdes me lojën e fjalëve që po bëjnë të gjithë ata që duan t’ja ulin kokën Partisë Demokratike dhe ta fusin atë në vathën e interesave të tyre të pushtetit. Partia Demokratike nuk po bojkoton zgjedhjet. Në këtë vend nuk ka zgjedhje, nuk ka proçes zgjedhor. Edi Rama e ka emëruar edhe opozitën. Ne po bojkotojmë këtë lloj votimi të ambalazhuar si zgjedhje. Ky është mekanizmi i dikaturave, kur zgjedhjet kanë mbaruar mjaft kohë përpara se të kryhet votimi. Ky votim është përdorur në Shqiperi që prej vitit 1945 deri në vitin 1990 dhe po kthehet i financuar me miliarda edhe në vitin 2017. Ky votim eliminon pluralizmin. Nëse mosmarrja pjesë në këtë lloj votimi është e paprecedent, atëhere nuk duhet të kemi frikë ta krijojmë precedentin. Mos kini frikë nga precedenti. Ai zgjat vetëm një moment. Pastaj nuk është më i tillë.