Nga Kasem Seferi
Në ka në botë një qytetar që rron në terr informativ për interesat e tij personale ekonomike dhe shoqërore dhe në një parajsë të lajmeve të ngjizura për politikën e ditës, është qytetari shqiptar, që në vend të “bukës së përditëshme“, nginjet me llafet e kafeneve.
Si qytetar modest, i prirur për të qenë një prej atyre që nuk bëjnë politikë dhe propagandë, do të desha të shpalos, të paktën, një fakt të vetëm: transparencën/tejdukshmërinë e atyre që thuhen, që bëhen dhe që, më së shumti dhe më së pari, “shijohen“ prej qytetarit shqiptar.
Ja një fakt që flet më shumë se sa një roman.
Një individ X që kishte marrë një hua në një bankë të nivelit të dytë, nuk kishte plotësuar kushtet e kontratës së huasë. Për këtë banka e hodhi në gjyq klientin dhe fitoi.
Vendimin e gjykatës e mori për ekzekutim një shoqëri përmbaruese, e cila në zbatim të vendimit gjyqësor vendosi sekuestro (mbajtje me detyrim) të pagës së huamarrësit dhe bashkëshortes së tij, duke vënë në pikëpyetje mbijetesën e familjes.
Përse?!
Nga këndvështrimi ligjor: vendimi gjyqësor, në konceptin dhe pratikën juridike kombëtare dhe ndërkombëtare, ka qenë dhe mbetet një prej treguesve që tregojnë qartësisht se marrëdhëniet e lira ndërmjet huamarrësit dhe huadhënësit ndërpriten/shkëputen dhe palët duhet të përmbushin detyrimet ashtu sikundër përcaktohet në vendimin gjyqësor.
Kur huamarrësi, në rastin konkret, u paraqit në bankën e nivelit të dytë për të shlyer detyrimet e përcaktuara në vendimin e gjykatës, u ndesh me një të paritur. Shuma e përcaktuar si detyrim nga vendimi i gjykatës kishte një shtesë gati dyfishin e saj.
Një e papritur, e paparishikuar, apo më saktë, një “kërcu përmbi samar“ sikundër thotë populli?
E ka lënë populli një shprehje: “O, Muço ku jeshe mbrëmë? Shija grurë atje në lëmë.“.
Për cilindo që ka një përvojë në marrëdhëniet me bankat e nivelit të dytë, si përsa i përket kursimit të parasë së siguruar, në cilëndo formë të ligjshme, si përsa i përket huamarrjes që sigurohet nga këto kursime, nuk mund të thotë se nuk është për sa më poshtë vijon:
I vendosin përpara një tërësi faqesh që përbëjnë një kontratë/ marrëveshje ndërmjet kursimtarit dhe bankës së nivelit të dytë dhe/ose bankës së nivelit të dytë dhe huamarrësit, që kursimtarit/huamarrësit i duhet ta firmosë faqe më faqe pa e lexuar.
Por, edhe nëse do ta kishte mundësinë dhe kohën për ta lexuar do të ndeshej me një gjuhë tejet të kamufluar juridike, që as e kupton dhe as ka për ta kuptuar, në qoftë se një ditë Banka e Shqipërisë nuk do të kujtohet se e ka për detyrë (sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë) të jetë “rojtarja“ e parasë së shqiptarëve, t‘i detyrojë bankat e nivelit të dytë të përdorin një gjuhë të kuptueshme dhe të thjeshtë (“deri te gjyshja“)!
Terri informativ, për të cilin shtjellova jo gjatë më lart, fillon nga politika e ditës, e cila (medemek) merret me hallet e qytetarëve dhe kurrë ndonjëherë deri më sot nuk e ka trajtuar këtë problem kaq të mprehtë.
Është folur për sirimin e kursimeve në vitin 2001, mbasi u larguan rreth 17 miliard lek nga ish – Banka e Kursimeve, sot Reifheissen Bank, si dhe Banka Kombëtare Tregtare. U vendos në Kuvendin e Shqipërisë një kufi sigurie deri 250 000 lek, vite më vonë diçka më shumë dhe aty ka ngelur “mushka“.
Është folur për hua të këqia, janë shtuar këto të fundit. Është folur për blerjen e borxhit dhe nuk është bërë gjë. Është pakësuar rendimenti/prodhueshmëria e veprimtarive ekonomike dhe askush nuk shqetësohet.
Hajmë, pijmë, argëtohemi, si dhe flejmë me politikë!
E meritojmë vallë?!
Kjo është një pyetje që ende nuk e ka një përgjigje.
Nuk është e nesërmja ajo që do t‘i përgjigje kësaj pyetje. Do të jetë rruga e një kohe të gjatë.
Kasem Seferi – ekonomist