Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë diskutuar përmes telefonit mbi mundësitë e të punuarit bashkërisht për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, në telefonatën e parë mes tyre që kur SHBA goditi me raketa një bazë ushtarake në Siri, që përkeqësoi edhe më shumë marrëdhëniet amerikano-ruse.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se dy udhëheqësit ranë dakord se “të gjitha palët duhet të bëjnë gjithçka munden për t’i dhënë fund dhunës” në Siri, teksa shtoi se Trump dhe Putin diskutuan edhe për bashkëveprimin kundër militantëve të Shtetit Islamik anembanë Lindjes së Mesme.
“Biseda ishte pozitive dhe përfshiu diskutime mbi krijimin e zonave të sigurta për të mbërritur në paqen përfundimtare, qoftë për arsye humanitare, ashtu dhe për shumë arsye të tjera”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Vendimi i Trumpit për të lëshuar 59 raketa “Tomahawk” mbi bazën ajrore siriane më 4 prill, si raprezalje për sulmin me armë kimike, irritoi së tepërmi rusët dhe çoi në disa shkëmbime deklaratash të ashpra mes dy qeverive.
Në deklaratë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Uashingtoni do të dërgojë një përfaqësues në bisedimet e armëpushimit sirian në Astana të Kazakistanit, që do të zhvillohen ditën e mërkurë dhe të enjte.
“Ata diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin për të çrrënjosur terrorizmin nga Lindja e Mesme. Më në fund, ata folën edhe për mënyrën më të mirë për të zgjidhur situatën tejet të rrezikshme në Korenë e Veriut”, thuhet në njoftim./dita.al