Dy familjarë të ngushtë të zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë, një ish-shef Komisariati Policie në Tiranë, një avokat nga Tirana me bashkëshorten, një sipërmarrës i fuqishëm, janë personat që kanë kryer transaksione me shtetasin Vasil Rrapo, të cilit iu sekuestruan rreth 20 mijë metra katrorë tokë në zonën e bregdetit, në Himarë.
Gjykata e Vlorës, me kërkesë të Prokurorisë vendosi javën e shkuar sekuestron preventive për pasurinë tokë, të regjistruar në hipotekën e qytetit në emrin e shtetasit Vasil Rrapo.
Prokuroria ka zbuluar se Rrapo ka falsifikuar sipërfaqen e pronës, nga 5980 m2, të cilën e ka fituar në bazë të ligjit nr.7501, e ka vendosur në Hipotekë në shifrën 25980 m2. Prokuroria e Vlorës, në një njoftim zyrtar të shpërndarë të premten, tha se në dokumentet e Vasil Rrapos, është shtuar numri “2” para shifrës reale takuese të Rrapos.
Pra, ai është regjistruar si pronar i një sipërfaqeje prej 25.980 m2, ndërkohë që realisht ka përfituar nga ligji i vitit 1991 vetëm 5980 m2. Nga shqyrtimi i dokumenteve hipotekorë, rezulton se disa persona “VIP” kanë blerë tokë te Vasil Rrapo, bazuar pikërisht në dokumentin e falsifikuar.
Kështu, rezulton që kanë blerë nga Vasil Rrapo sipërfaqen me nga 1 mijë metra katrorë shtetasit Al. Çipa dhe An. Çipa, njerëz të afërt të zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardian Çipa, raporton Bold News.
Po ashtu, kanë blerë nga 1 mijë metra katrorë një avokat i njohur në Tiranë, A. Gurabardhi dhe bashkëshortja e tij. Lista e blerësve të tokës që rezulton e regjistruar në emër të Vasil Rrapos vijon me një biznesmen të fuqishëm në Tiranë, N. Janina, i cili ka blerë 5 mijë m2, si edhe më një ish-shef komisariati policie në Tiranë, Gj.Prendi, i cili ka blerë 1 mijë metra katrorë tokë./BN/