Partia Demokratike do të shikojë mundësinë për t’i kërkuar Kolegjit Zgjedhor rrëzimin vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pranimin dhe miratimin e listave të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe 15 subjekteve të tjera zgjedhore, me pretendimin se listat janë dorëzuar në KQZ pas përfundimit të afatit ligjor.
Ankimimi në Kolegjin Zgjedhor
Përfaqësues të opozitës kanë bërë më dije për Shqiptarja.com se, Partia Demokratike pritet të vendosë në lëvizje gjykatën e zgjedhjeve, e cila do të thotë fjalën e fundit sa i takon pretendimeve të kundërta të palëve për afatin e dorëzimit të listave.
Për ‘djegien’ e listave të PS dhe LSI, Partia Demokratike ka një pikë të fortë mbështetjeje në Kolegjin Zgjedhor. Bëhet fjalë për Gjin Gjonin, i cili mund të shndërrohet në asin nën mëngë të Partisë Demokratike, për të rrëzuar vendime të rëndësishme të KQZ për administrimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit.
Përzgjedhja e gjyqtarit Gjin Gjoni si anëtar i Kolegjit Zgjedhor krijoi shqetësim në kampin e mazhorancës. Shqetësimi është shtuar në kushtet kur opozita ka paralajmëruar dhe kërkon me çdo kusht prishjen e zgjedhjeve të 18 Qershorit.
Dhe Kolegji Zgjedhor, shumë shpejt, pritet të jetë para një prove vendimtare. Fillimisht, mbetet për t’u parë nëse Partia Demokratike do të zyrtarizojë ankimimin në Kolegj kundër vendimit për miratimin e listave.
Në rast ankimimi, vendimi i gjykatës së zgjedhjeve do të jetë përcaktues për zgjedhjet e 18 Qershorit. Një vendim i Kolegjit Zgjedhor në favor të opozitës, rrëzon përfundimisht zgjedhjet e 18 Qershorit.
Nëse Kolegjit Zgjedhor rrëzon vendimet e KQZ për miratimin e listave, në zgjedhjet e qershorit do të ketë parti pa lista kandidatësh për deputetë. Pra, zgjedhjet nuk mund të prodhojnë parlament të ri.
Partia Demokratike, që nga fundi i javës së kaluar, ka nisur një betejë të re politike, me qëllim për të tërhequr në rrugën e bojkotit të zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit, edhe Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe 15 subjekte të tjera zgjedhore.
Krerët e opozitës pretendojnë se, PS, LSI, PDIU dhe FRD i kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 24 orë pasi ka përfunduar afati i parashikuar në ligjin zgjedhor.
Ndryshe nga KQZ, i cili shpalli datën 29 prill si afatin e fundit, kreu i PD Lulzim Basha, deputeti Oerd Bylykbashi dhe tre përfaqësuesit e opozitës në KQZ, pretendojnë se afati për paraqitjen e listës së kandidatëve ka përfunduar në datën 18 prill, pra 24 orë më përpara. Në këto kushte, opozita ka kërkuar zhbërjen 18 qershorit si datën e zgjedhjeve dhe caktimin e një tjetër date, me anë të një marrëveshjeje politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë para datës 5 maj listat e kandidatëve për deputetë të 17 partive politike, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Aktualisht, KQZ, në mbështetje të nenit 73 të Kodit Zgjedhor, është duke përpunuar dhe verifikuar
dokumentacionin e kandidimit për të gjitha partitë politike që kanë depozituar lista shumemërore.
Njëkohësisht, KQZ në zbatim të ligjit 138/2015, ligjit të dekriminalizimit, ka nisur edhe verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për kandidatët për deputetë. Ndërkohë, për listat shumemërore të partive politike tek cilat do të konstatohen parregullsi në dokumentacionin e kanidimit, do të kthehen për plotësim jo më vonë se data 4 maj. I gjithë procesi i miratimit ose refuzimit nga KQZ, i listave shumemërore për kandidatët për deputetë, do të përfundojë brenda datës 9 maj./shqiptarja.com