Në mbyllje të fushatës për zgjedhjet presidenciale franceze, kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen tha se besonte në një fitore surprizë të dielën, ndërsa rivali Emmanuel Macron e akuzoi atë për nxitjen e frikës te votuesit.
Në një intervistë për “Associated Press” në orët e fundit të fushatës, kryetarja e “Frontit Nacional” pohoi se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, ajo kishte siguruar një fitore ideologjike që mund të ndryshojë orientimin e Europës.
Dita e fundit e garës së ethshme u shënjua nga tensionet, ndërsa një turmë njerëzish kundër Le Penit u përpoq të pengonte vizitën e saj në një katedrale të njohur në Reims.
Liberali Emmanuel Macron e ka thelluar edhe më tej avantazhin e tij në sondazhe, që profetizojnë se ish-ministri i Ekonomisë do të rrëmbejë 62% të votave të dielën, ndërsa Le Peni nuk do të arrijë të grumbullojë më shumë se 38%.
Ndërkohë, vetëm 48 orë para zgjedhjeve, alarmi në Francë është maksimal.
“Vritini kandidatët e zgjedhjeve presidenciale franceze gjatë balotazhit dhe personelin e qendrave të votimit”
Ky është apeli që i lëshon Shteti Islamik të ashtuquajturve “ujqër vetmitarë xhihadistë” në versionin francez të revistës së tyre “Rumiyah”, e publikuar në internet pikërisht në prag të votimit të 7 majit.
“Mos e harroni detyrën tuaj si myslimanë. Zgjidhni një kandidat për të vrarë dhe një qendër për t’i vënë zjarrin”, është thirrja e grupit ekstremist, e publikuar më pas edhe në rrjetin social “Twitter”.
Në kopertinën e edicionin francez të revistës shfaqet një dorë teksa hedh votën në kutinë e votimit, e përfshirë nga flakët. Në tekst nuk përmenden emrat e Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, por akti terrorist justifikohet me pretendimin se, cilido që merr pjesë në votim është i pabesë./360grade.al