Lëvizja Vetëvendosje ka vija të kuqe për dy ish-partnerët e koalicionit qeverisës PDK-në dhe LDK-në për krijimin e koalicioneve parazgjedhore dhe paszgjedhore.
Madje për këtë, nënkryetarja në detyrë e Kuvendit Aida Dërguti, pas një mbledhje të kryesisë, tha se ka vendim të këshillit të përgjithshëm i cili përjashton këto dy partitë nga bashkëpunimi.
Megjithatë, shtoi se ka pasur disa përpjekje që të bëhet një koalicion parazgjedhor me partitë që nuk ishin në qeveri. Madje edhe pas zgjedhjeve sipas saj përparësi do të kenë AAK dhe Nisma.
“Në fakt ne kemi vendim të Këshillit të Përgjithshëm që nuk futemi në koalicione parazgjedhore me partitë në pushtet dhe jemi të hapur për partitë brenda parlamentit dhe jashtë parlamentit dhe që nuk kanë qenë pjesë e kësaj qeverie…Kanë qenë disa përpjekjeje, por edhe pas zgjedhjeve përparësi për koalicione do të kenë prapë partitë të cilat të cilat gjatë kësaj legjislature kanë qenë në opozitë…Nuk do të kemi koalicion parazgjedhor me LDK-në”, tha Dërguti.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, nuk pranoi pyetje nga gazetarët, por tha atë që deshi, duke shpreh dëshirën që në Kuvendin e ardhshëm të ketë më shumë femra dhe të rinj.
“Kemi kaluar momente të vështira por me rëndësi është që kemi arritur ta ruajmë demokracinë tonë. Do të dëshiroja në të ardhmen të shihja në Kuvend me shumë gra dhe të rinj. Në të njëjtën kohë do të dëshiroja të shihja deputetë me shumë që kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë”, theksoi Veseli.
Ndërsa, në mbledhjen e kryesisë, që ishte e fundit për mandatin që shkoi, nënkryetarja në detyrë Aida Dërguti, tha se u diskutua për disa çështje, siç janë anulimi i disa udhëtimeve të Kuvendit, shpenzimeve për udhëtime, mbushjet e telefonit për deputetë e të tjera.
E pyetur nëse kanë diskutuar për punën e kësaj legjislature, e cila është vlerësuar si më e dobëta që nga paslufta, Dërguti tha se nuk kanë mandat për një gjë të tillë, porse sipas saj kjo legjislaturë ka kryer punën me të mirë nga të gjitha të tjerat.
“Nuk kisha hyrë në vlerësime. Për mendimin tim kemi pasur një kuvend i cili ka kryer punën e vet me mirë se çdo legjislaturë tjetër, kemi pasur një opozitë me numra të paktë por që ka pasur një rol të rëndësishëm në pengimin e marrjes së vendimeve që janë të dëmshme për interesat e vendit. Pra nuk ka qenë asnjëherë më e vogël opozita dhe më e zëshme se sa ka qenë në këtë legjislaturë. Ka penguar dy vendime kapitale të cilat janë në dëm për interesat e vendit. Po ashtu e ka qu këtë qeveri në shtëpi”, u shpreh ai.
Legjislatura e pestë e Kuvendit u shpërbë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa. /KosovaPress/