Home KRYESORE Jozefina kundër Jozit!

Jozefina kundër Jozit!

Nga Enver Bytyçi

Josefina Topalli u shfaq mbrëmë shumë e ashpër me Lulzim Bashën. Por jo vetëm më kryetarin e PD-së, ajo në thelb e tillë u shfaq edhe me Partinë Demokratike. Nga mënyra si foli, nga stili, etiketimet, akuzat, kritikat, Josefina m’u duk mbrëmë njësoj e mllefosur sikur të ishte përballë Gramoz Ruçit e Skënder Gjinushit. Megjithë përpjekjet e Fatos Lubonjës dhe të Robert Rakipllarit për ta ndalur turrin e saj, Jozi nuk u ndal asnjë çast, sulmoi ashpër dhe pa mëshirë kryetarin e Partisë Demokratike për gjithçka.

Kandidatët për deputetë i cilësoi si pjestarë të familjës Basha. Çadrën, Republikën e Re, Partinë Demokratike, gjithçka e konsideroi “të rreme”?! Madje nuk nguroi të shprehë arrogancën e saj kur tha se “Më ktheni statutin, me ktheni forumet dhe une ju kthej kusur Bashen”. Ndërkaq u përpoq që ta ndajë Bashën nga Berisha, jo vetëm duke bërë diferencën në metodën e drejtimit të PD-së, por edhe në çeshtjet e vendimmarrjes së fundit për marrëveshjen me Partinë Socialiste të Edi Ramës, gjë të cilën vetë lideri historik e ka përgenjështruar..

Që të bësh një rezyme të asaj që Josefina tha mbrëmë në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit, duhet shkruar gjatë. Por aq sa shpreha më lart, besoj së përbën bërthamën e debatit të ri që ka lindur në Partinë Demokratike pas shpalljes së kandidatëve për deputetë prej zotit Basha. Të them të drejtën pas shpalljes së listave, kur në to pashë disa ish-ministra, thashë se mund të kishte vend edhe Jozi dhe Astrit Patozi. Vetëm kaq!

Më pas besimi te Jozi u venit brenda pak orësh, sepse ajo bashkë me Ben Imamin dolën dhe kërkuan të mblidhen forumet e PD-së për të shkarkuar kryetarin?! Në kulmin e fushatës?! Menjëherë mu shfaq pyetja e natyrshme: A mund të kërkohet shkarkimi i kryetarit nga kushdo qoftë ai, thjesht për faktin se emri i tij nuk gjendet nuk gjendet në listat e kandidatëve për deputetë?! Nëse ky emër do të gjendej në këto lista, siç ndodhi psh me Lefter Maliqin, kush do të siguronte se Jozi nuk do jepte dorëheqje e përsëri të kërkonte shkarkimin e kryetarit?! Prandaj u dorëhoqa nga mendimi se “Jozi do të duhej të ishte në listë”!

Por jo vetëm për këtë. Edhe për faktin se Josefina ka ardhur direkt nga Shkodra në majë të Partisë Demokratike, me një të kaluar të admirueshme për këtë parti, por pa ndonjë sakrificë në emër të saj. Më shumë se 20 vite I ndriti fati dhe korri të gjitha provilegjet e pushtetit legjislativ. Madje disa herë edhe duke kërcënuar liderin historik, ndërkohë që mbrëmë u përpoq të thoshte se ‘Berisha nuk di gjë për ato që ndodhin në PD”. Kaq shumë vitë në Partinë Demokratike nuk ishin pak për të krijuar dhe Jozi tarafin e saj, ku bën pjesë dhe një grup gjigand pushtetarësh, shumica prej të cilëve edhe pse nuk u kandiduan nuk kanë guximin të dalin hapur kundër ose në mbrojtje të Partisë që u dha pushtet e pasuri.

Ndonjë prej tyre gjithë jetën në PD, prej fillimit të viteve ’90, e ka sharë dhe atakuar Dr. Berishën në stilin e tij, në formë anekdotash e thashethemesh, 30 herë në ditë, me njerëz të formatit të ndryshëm, ndërkaq që bënte pjesë në klan-pushtetin e Jozefinës. Kurse Jozi është shfaqur në publik si fansja më e madhe e doktorit. Diçka kontradiktore duket kjo, por më duhet të besoj se grupimi i Jozit nuk ishte grupim idesh dhe idealesh, përkundrazi një grup i njëjtë me modelin e të gjithë politikanëve të të gjitha partive në pushtet në vendin tonë. Gjatë gjithë këtyre viteve ajo krijoi imazhin e “zonjës së hekurt”. U ballafaqua ashpër me partitë kundërshtare, sidomos kur ishte në opozitë. Krijoi një staturë të sajën kur iu desh të ballafaqohej me publikun. Edhe mbrëmë ta jepte këtë përshtypje. Por çfarë mund të lexosh përtej kësaj?

Jozefina ishte mbrëmë e frustuar, agresive, e pamëshirshme dhe dukej se kishte akumuluar shumë urrejtje, mllef, gati-gati e shihte Lulzim Bashën si armik. E vërteta është se ajo kurrë nuk e ka dashur Bashën. Dua të besoj për shkak të egos së pushtetit, për të mos patur konkurentë në Partinë Demokratike. Moskandidimi ia preu të gjitha shpresat se mund të rikthehet ndonjë ditë në pozitën e pushtetit që kishte më parë. Bashkë me pushtetin humbasin kështu edhe përfitimet që rrjedhin prej tij. Veç kësaj ndjesia e humbjes së autoritetit politik e bën të mos e pranojë sfidën. Në fakt në paraqitjen e mbrëmshme u duk sikur ajo po sfidon, por më duket se pashë fundin e përpjekjeve për sfidë të mirëfilltë. Pikërisht pamundësia për të sfiduar e bën Jozin aq agresive dhe të papajtueshme me “humbjen”, aq sa të akuzojë Bashën për shitjen e kandidimeve, një ves që është përfolur dikur për ndonjë nga grupi i klanit të Jozit, sidomos në rastin e kandidimeve për bashkitë e komunat.

Gjithçka në emisionin dhe fjalën e Jozefinës dukej qartë si një komunikim pa projekt, pa ide, pa alternativë, sidomos në kushtet kur vendi ndodhet në proces elektoral për zgjedhjen e parlamentit të ri. Dukej “e shqetësuar” për demokracinë në parti, kur demokracia në partitë shqiptare ka marrë fund edhe me votën e Jozit.

Ajo që prisnin dhe presin demokratët lidhet me rritjen e përpjekjeve të opozitës dhe PD-së për të fituar zgjedhjet e 25 qershorit. Lënia menjëanë e pakënaqësive është imediate për këdo, hatërmbetës, ambicioz, apo i menduar si kundërshtar i kreut të kësaj partie. Në demokraci asnjë lider nuk gëzon simpatinë e të gjithëve atyre që e rrethojnë. Por lufta brenda vetes nuk ka ndodhur ndonjëherë të fillojë në kulmin e fushatës elektorale. Vetëm një ego e shkallës më të lartë, e pariparueshme mund ta shtyjë njeriun deri në këtë pikë.

Jozefina i është përvesh punës të luftojë kundër Lulzim Bashës, ende pa njohur rezultatet e tij të 25 qershorit. Në fakt ajo po e ndihëmon zotin Basha, sepse Jozi është vënë kundër vetë Partisë Demokratike dhe në këto kushte nëse ajo humbet zgjedhjet, përgjegjësinë do të duhet ta mbajë Jozi. Në këtë mënyrë Jozefina i është kundërvënë Jozit dhe jo kryetarit Basha. Në vend të priste datën 26 qershor, Jozi i dogji etapat, përfundimisht u vu kundër Partisë Demokratike dhe u duk qartë se ajo më 25 qershor ose nuk do të shkojë të votojë, ose do të shkojë të votojë një parti tjetër e jo Partinë Demokratike. Mesa duket Jozi nuk e ka mësuar aksiomën e Eskilit, sipas të cilit “Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e saj”.

Share: