Ministri i Drejtësisë ka kallëzuar sot në prokurori kandidatin për deputet të Qarkut Berat, Fadil Nasufi dhe Regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Ledian Shehu, të akuzuar për veprat penale Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Drejtësisë ata kanë shfrytëzuar punën e Zyrës së Hipotekës së Beratit për qëllime të përfitimit politik në zgjedhje.
“Gjatë një aktiviteti me karakter politik dhe fetar, z. Fadil Nasufi, në bashkëpunim me Regjistruesin z. Ledian Shehu, kanë bërë shpërndarje të çertifikatave për vërtetim pronësie, edhe pse kjo nuk është detyrë e një kandidati për deputet, por është veprimtari normale institucionale e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë, ka kërkuar aplikimin e masave të sigurimit personal ndaj të kallëzuarve, për të parandaluar kryerjen e krimeve të të njëjtit lloj me atë për të cilën referohet në kallëzim. Ministri Bardhi tha se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo veprimtari politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.