Nga Flamur tajari, Parrena.com
Prej javësh në opinion po qarkullon fuqishëm teza e një vote masive kundër. Nisi spontanisht nga faktorë socialë, të cilët u shprehën publikisht, pavarësisht nga njëri – tjetri, për një kryq të madh mbi fletë, pasi politika e tranzicionit kreu edhe aktin e fundit, shkeljen e vetëdijshme të ligjit përmes marrëveshjeve politike.
Sot një pjesë e mirë, jo vetëm e njerëzve me influencë por edhe qytetarë të thjeshtë, deklarojnë se do të votojnë kundër, duke i vendosur një kryq të madh fletës. Po ashtu, masivisht po kërkohet që ky akt të kthehet në lëvizje masive politike.
Sot PO, që ka kuptim! Ose më saktë: SOT PO QË ËSHTË DETYRË TË NISË NJË BETEJË E MIRËFILLTË PËR VOTËN KUNDËR, OSE KRYQIN NË FLETË!!
Pas botimit të sondazhit të GALLUP , ku thuhet se 56 % e shqiptarëve duan të ikin nga atdheu, reagimi masiv me një kryq të madh mbi fletë është lëvizje e mirëfilltë politike dhe betejë reale mes politikës së korruptuar dhe inkriminuar të tranzicionit dhe demokracisë.
Ikja në vetvete është reagim në gjithë botën e gjallë ndaj kërcënimit. Dy mënyra kanë gjallesat për t’u përballur me kërcënimin: të ndeshen ose t’ia mbathin. Ndeshja ndodh kur kërcënimi është i atij niveli që mund të fitohet me qëndresë e luftë. Ikja ndodh kur gjallesa e kupton se fuqia e agresorit është e papërballueshe dhe për të shpëtuar i duhet t’ia mbathë sa më larg rrezikut.
Pra 56% e shqiptarëve ndjehen keqas të kërcënuar nga politika që i sundon. E ndjejnë se e keqja është shumë më e fuqishme se ata, ndjejnë se janë kope individualiste ku secili vrapon për hesap të vet, pa e vrarë mendjen për individin në krah..
Vota kryq, ose nxjerrja e fletës së pavlefshme është pra akt rezistence, përballje, qytetarie. Nëse ti sot ke vendosur t’ia mbathësh, ndalo një çast në 25 qershor, merr fletën, sigurohu që s’të sheh njeri dhe VENDOSI NJË KRYQ TË MADH! Pastaj dil i buzëqeshur. Ke për ta parë se si ty do të jenë plot e në fund do ta shohësh se e keqja do të shtanget. Do të shohës se nuk je kope, por një bashkësi qytetarësh, shumë e madhe në numër!
Ky akt kaq i thjeshtë mund të sjellë ndryshimin. Situata është pjekur për një përmbysje të madhe. Ky 56 % është një liqen i pakontrollueshëm më nga diga e satrapëve në pushtet. Po u ça sadopak, ose do të prodhojë trazira të papara, ose , e kontrolluar në këtë formë, ka shanse të nisë një epokë të re demokracie dhe mirëqenie…
Kaq e thjeshtë mo ka! Një kryq i madh mbi fletëvotim dhe ik! Nuk të dikton njeri e nuk të merr vesh njeri në botë!! Ik i qetë dhe krenar se luftove fort e nuk të hyri gjemb në këmbë!!