Home KRYESORE Kukesi, dy novosejas në Kuvend

Kukesi, dy novosejas në Kuvend

Nga Azem Parllaku

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, për votën jepet ky shpjegim: 1. E drejta e secilit për të shfaqur mendimin në kohën e zgjedhjeve ose kur vendoset një çështje bashkërisht në një organizatë politike, shtetërore a shoqërore; shprehja e mendimit a e vullnetit nga secili për të zgjedhur dikë në një organ etj. ose për të vendosur për një çështje; mendimi që shpreh dikush në raste të tilla dhe fleta a diçka tjetër që përdoret për këtë qëllim. Votë vendimore (deliberative). Votë këshillimore (konsultative). E drejta e votës. Me shumicë votash. Jap votën për dikë a për diçka e pranoj a e përkrah, e miratoj. 2. Votim. Votë e lirë (e fshehtë, e përgjithshme). Mekanizmi i votës. Vë (hedh) në votë.

Ky nocion që shpjegon filozofinë e votës, më së shumti gjen shprehje në shoqëritë me demokraci të zhvilluar, ku secili qytetar më të drejtë vote gjithmonë sundon vullnetin e tij ekskluziv sa i përket votës, pavarësisht se cilit individ a partie politike i’a dedikon atë. Ajo votë gjithmonë mbetet ose konceptohet si deliberative, e pavarur, humane, emancipuese, autonome, dhe në instancë të fundit, edhe e paprekshme. Ajo në vete përfshinë dhe mesazhin e filozofisë që përcjell, ajo ka për detyrë të “shpërblejë dhe të nderojë”, por në raste të veçanta “di dhe të të ndëshkojë pamëshirshëm dhe të të turpërojë dhe të të dëshpërojë keqas”. Shprehja e mendimit të lirë, gjegjësisht e votës, nuk duron arrogancë, nuk pëlqen makiavelizëm, qoftë të jetë individual a kolektiv, ajo nuk lejon që të jetë pjesë e keqqeverisjes, e korrupsionit, premtimeve fëmijërore dhe boshe të politikanëve. Ajo në asnjë mënyrë nuk lejon, e nuk dëshiron të skandalizohet, të kontrabandohet e të keqpërdoret. Ajo nuk lejon çfarëdo qoftë ndërhyrjesh të brendshme dhe të jashtme, nuk lejon që pranë saj të ketë çfarëdo sekserësh, sejmenësh, e kumarxhinj politikë.

Novosejasit janë me fat, mbasi me 25 qershor qytetarët e qarkut të Kukësit, do të votojnë për dy bashkëpatriotë të tyre. Historikisht novosejasit janë dëshmuar si njerëz atdhetarë, besnikë dhe të ditur. Si fshat Novosej ka qenë i përmendur dhe i preferuar përgjatë gjithë kohërave, gjë që e vërtetojnë edhe shumë dokumente e botime, për të cilat nuk do të ndalemi në këtë qasje. Ajo çfarë mund të veçohet si domethënëse është se, Novosej rrezaton edhe një kulturë intelektuale e popullore që e bën atë të gëzojë traditë të pasur në vlera. Nuk është krejt rastësi që, novosejasi Flamur Noka, e novosejasja Selvi Beçaj, janë përzgjedhur për t’u votuar si kandidatë për deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Strukturat politike qëndrore dhe ato lokale, i kanë propozuar, dhe e kanë të sigurtë që Noka e Beçaj do të jenë fitues.

Me background-in e tyre, të dy kandidatët janë figura interesante politike, ndaj dhe gëzojnë përkrahjen e duhur përbrenda qendrave të vendimmarrjes së partive që ata i përfaqësojnë. Noka ka përvojë më të gjatë në politikë. Është i lidhur fort me votuesit e tij. E ka ngritur pandërprerë zërin për problematikat, që ka qarku i Kukësit. Është një prej deputetëve, që gjithmonë ka guxuar. Noka e di shumë mirë se forca e vërtetë e një deputeti peshon po aq sa edhe besimi i tij te njerëzit e vet dhe anasjelltas. Dhe ata që bëjnë diferencën, nëse një përfaqësues i popullit do të jetë i suksesshëm apo jo, rëndom nuk janë figurat që sfilojnë në evente publike dhe nuk janë as ata që pretendojnë se dinë ta interpretojnë vullnetin e popullit, por janë njerëzit e thjeshtë, ata që sot janë tërësisht të harruar nga elitat, si ato të vjetrat ashtu edhe nga këto të rejat të krijuara nga pasurimi i shpejtë. Janë këta heronjtë e panjohur të Kukësit, ata që në anonimitet angazhohen për një të nesërme më të sigurtë, njerëz që besojnë se meritojnë të kenë një përfaqësues që nuk pranon t’i shesë interesat e tyre, në këmbim të një përfitimi apo lehtësimi për veten. Ata që e njohin nga afër, e dinë se, në politikë, Flamur Noka synon të lidhë pakt pikërisht me këta njerëz të vërtetë, kontributi dhe shqetësimet e të cilëve nuk pasqyrohet në faqet e para të gazetave.

Selvi Beçaj, më me pak përvojë në politikë, por një administratore e suksesshme, mbi të gjitha e ndershme në punët e shtetit, e dëshmon me krenari prejardhjen e saj nga Novosej. Për Selvin, familja është e gjithë shoqëria por në miniaturë, e nga mirëqënia e familjes varet siguria e gjithë shoqërisë. Beçaj po zhvillon takime intensive në çdo fshat dhe lagje, madje pritet fort mirë, kur thotë se, është tërësisht e qartë, për çdo problematikë në çdo shtëpi të qarkut të Kukësit. Bashkëpuntorët e mi thotë ajo, nuk e kalojnë kohën duke u marrë me shpifje nëpër gazeta por janë në çdo orë duke përpunuar hartën e problematikave në çdo fshat. “Më vlerësoni si bijë të dalë nga gjiri i kësaj zone, nuse të kësaj krahine si edhe nënë të 4 prej ardhmërive, të cilët së bashku me fëmijët tuaj do dinë të jenë fytyra më e bukur e Shqipërisë së ardhme, por që duhet të kenë trashëguar nga ne, një të tashme plot shpresë dhe besim”, e thotë Selvi në çdo takim me votuesit.

Edhe Beçaj edhe Noka kanë ardhur në Kukës me mëngë të përveshura. Sipas Filozofit Johann Gottlieb Fichte “Intelektuali është i destinuar ndaj shoqërisë në gjithçka e për gjithçka, ai ekziston falë shoqërisë dhe për shoqërinë”. Të dy, Noka e Beçaj janë të formuar, ndaj dhe do të jenë në gjendje të deduktojë në problemet e jetës së përditshme të votuesve të tyre.

Share: