Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën aktuale politike si dhe marrëveshjen e 18 majit mes Ramës dhe Bashës.
Në një status në facebook, aleati i Ramës komenton edhe zërat për një koalicion pas zgjedhor PD-PS.
Ai shkruan se nëse Rama bën aleancë me Bashën, ky është një bashkim kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Statusi i plotë në facebook:
Amerikanët po habiten; ata thonë: ne, duke vënë drejtësinë në vend, po duam t’iu kthejmë shqiptarëve të gjithë padrejtësinë shekullore që iu është bërë, dhe ata po pengohen nga disa individë të korruptuar”.
Kurse shqiptarët presin me ankth eliminimin e tyre. Njërin – Sali Berishën – e hodhi në qoshe politika amerikane me Brian Yee, kur i vuri përpara faktet e inkriminimit të tij.
Po të tjerët?
l.
Në këto ditë, në funksion të këtij gjykimi, njerëzit normalë të këtij vendi pyesin: vërtet është bashkuar Rama me Bashën politikisht me një pakt parazgjedhor?
Po Berisha ku është?
Nëse është bashkuar Rama dhe Basha, kundër kujt janë bashkuar?
Mos ka ndonjë kërcënim të jashtëm?
Asgjë: po të jenë bashkuar, ky është një bashkim kundër Amerikës.
Dhe në fakt është një nga ndërmarrjet më qesharake, sepse realisht do të jetë tragjedia e Enver Hoxhës, e ardhur në Shqipëri këtë herë si komedi.
Vërtet mendojnë këta fakirë se mund të mundin politikisht Amerikën kundër interesit të Shqipërisë dhe interesit amerikan!
Por kuptohet, nëse janë bashkuar kundër Amerikës, janë bashkuar kundër Reformës. Domethënë se Reforma i kap që të dy.
Atëherë?
ll.
Politika amerikane po rezulton që të jetë kundër këtij bashkimi. Në të njëjtën kohë kancelarja gjermane deklaron se ky lloj bashkimi ka dalë joproduktuv në Gjermani.
Atëherë, çmund të jetë ky bashkim?
Sigurisht kundër Reformës në Drejtësi.
Domethënë këta i paskan shpallur luftë Amerikës! Por kjo është vobegtësi mendore. Dy individë të panjohur në rrafsh botëror, me dy ushta dhe me dy shpata i kanë shpallur luftë Shteteve të Bashkuara. Po përkrenare kanë këta dy kalorës? Thuhet se njëri prej tyre, Rama, ka në kokë përkrenaren e Mambrinit.
Në varrin e Donkishotit shkruhet:
“Këtu dergjet Don Kishoti
Ish i fort’ e ish i zoti
Botën mbrapa desh ta kthente
Dhe më ushtë ta mbërthente”.
Komedi e madhe.
Më ushta kundër areoplanmbajtësve amerikane! A të jetë e vërtetë vallë!
Po trysninë?
Duress i thotë e Drejta Penale angleze trysnisë psikologjike. Në fakt është torturë e madhe: po je i kapur në një krim, dhe këtë ta ka “i forti” në dorë dhe ta tund, je i humbur. E shihni se si është bërë Sali ziu nën trysni?
Ja, priteni! këto ditë iu vjen trysnia dhe të dy kalorësve: njëlloj si Saliut. O kalorës! Ku e keni Saliun?
Është mbyllur. E la dhe revolucionin pa e nisur fare…