Home KRYESORE Një replikë për të mirën e Albana Xharrës!

Një replikë për të mirën e Albana Xharrës!

Nga Enver Bytyçi

Albana Xharra ka shkruar para disa muajsh egër kundër Sali Berishës dhe ky i fundit ka reaguar vetë ndaj kritikave dhe shpifjeve të saj dashakeqëse. Prandaj nuk jam prononcuar aso kohe. Sot Albana, në ditë të keqe për Partinë Demokratike të Shqipërisë, është marrë prapë me Sali Berishën, duke aluduar se edhe për këtë humbje “fajin e ka Saliu”! Po për çfarë “faji të Saliut” shkruan ajo?

Sipas saj Partia Demokratike e Shqipërisë ka humbur, sepse Berisha i paska thënë asaj “Ndrikull” dhe “Nëna e Zeqos”!! Kështu Albana gjithçka e rrotullon rreth kërthizës së saj, edhe humbjen e PD-së, të cilën prej sot katër vitesh nuk e drejton Berisha, por zevendësi i tij, Lulzim Basha.

Aq shumë na ishte gëzuar Albana për këtë humbje, sa nuk sheh humbjen katastrofale që ajo i shkaktoi PDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke e lëshuar atë krahasuar me vitin 2014 shumë më poshtë sesa rënia e Partisë Demokratike krahasuar me vitin 2013. Nëse bëjmë këto krahasime, atëherë vërejmë se partia e Albanës ra me 14 deputetë e Partia Demokratike e Shqipërisë pritet të bjerë me 5-6 deputetë. Dhe Albana e kërthizës së botës nuk merret me veten e partinë e saj, as me ndikimin negative që pati anëtarësimi i saj në PDK, por inatin e shfryn te Sali Berisha! Aq maniake e pakontrollueshme është, aq egoiste dhe arrogante shfaqet ajo!

Kam shkruar shpesh, duke shpjeguar se “Egoizmi ka në themel hakmarrjen”. Përfundimisht shënimi i Albanës në mënyrën si është shkruar, me cinizmin e saj të pafre e të pakontrolluar, na dëshmon se ajo është e rrezikshme, njësoj siç është i rrezikshëm për shoqërinë çdo person egoist, që në vend të arësyetimit dhe gjykimit ve urrejtjen dhe hakmarrjen primitive. Rreziku i njerëzve të tillë rritet, nëse kemi parasysh se kjo kategori personash janë mjaltë për shërbime të caktuara në arritjen e qëllimeve që ato kanë në raport me Kosovën, Shqipërinë apo shqiptarët!

Ndërsa sa i përket shpifjeve të saj të kaluara për kontributet, veprimtarinë dhe bëmat e Sali Berishës, ia siguroj asaj dhe çdo kritiku tjetër se historia do t’i shkruajë ato me realizëm pa u ndikuar aspak nga egoja e sëmurë e një njeriu që kujton se është kërthiza e botës, si Albana Xharra! Shkodranët thonë “T’u rittë mendja djalo!”, unë po të paralajmëroj Albana: “Mos hyp në majë të thënës se rrëzohesh një ditë e mund ta nxjerrësh gopin”! Dhe nuk e di nëse bëhesh apo nuk bëhesh soj, edhe po e nxore këmbën mbas qafe, duke nxjerrë gopin nga vendi! Kështu Bacë, meqenëse të pëlqen shumë ky nocion! Pse jo, edhe: -Kështu mixhë! Mos hapro, se ze n’thue e thyen qafën!

Share: