Partia Demokratike duket se po kalon një situatë të vështirë, ndoshta më të vështirë se ajo e 2013-ës, kohë kur ish-Kryeministri Sali Berisha dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Por nëse 4 vite më parë, Berisha kishte shumë më tepër fuqi sesa sot në strukturat e PD dhe arriti të mos lejonte një përçarje në këtë parti, sot situata paraqitet krejt ndryshe. Pavarësisht mesazheve dhe apeleve për të zgjidhur situatën pa përjashtime dhe pa përçarje, ajo që rrezikon më të shumti PD është pikërisht përçarja.
Gjithçka lidhet me humbjen e zgjedhjeve të 25 Qershorit, ku gishti i përgjegjësisë është drejtuar ndaj Kryetarit Lulzim Basha dhe listës së tij të kandidatëve. Por ndërsa debati po zhvillohet në distancë, kryesisht në rrjetet sociale mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Bashës, kanë nisur edhe dorëheqjet e para.
Një prej koordinatorëve në PD, Besnik Aliaj, ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij në PD.
“Miq pas rreth 2 viteve si koordinator i politikave të territorit në PD dhe pas zgjedhjeve të fundit ku u përpoqa te jap kontributin tim modest, largohem nga cdo “funksion” imi në PD dhe ja lë rradhën të tjerëve më të zotë që të kontribuojnë.
Do vijoj ndërkohë të jem pjesë e PD si anëtar i thjeshtë. Gjithë të mirat për ju. Respekt për zgjedhjen tuaj si për ata që më kanë mbështetur dhe simpatizuar, edhe për ata që më kanë keqkuptuar ose sulmuar. Në çdo rast kjo botë ka vend për të gjithë!”, shkruan Aliaj.