Nga Kasem Seferi
Zoti Fevziu si gazetar dhe Zoti Xhepa si akademik (ish – Këshilltar ekonomik i Kryeministrit Berisha dhe ish deputet i PD), kanë shprehur shqetësimin se në këtë fushatë PS, PD dhe LSI si parti kryesore të lëmit politik për pushtet, nuk po shpalosin ide dhe programe të qarta, por po karakterizohen nga populizmi.
Ulje tatimesh, rritje pagash, ndihmë sociale e rritur, etj, etj, që fjalët “lugë e zbrazët”, i kanë zevendësuar me fjalët e pathëna “qepshe/garuzhde e zbrazët”.
Jo larg në kohë nga kjo fushatë zgjedhore është folur me “zë të mekur” në lidhje me sigurinë ekonomike të vendit, për arsye se Shqipëria si vend, në mënyrë unike, duhet të ketë:
nivelin e saj të zhvillimit ekonomik;
kapacitetin për menaxhimin e riskut;
kulturën kombëtare dhe pozicionin e saj në mjedisin ndërkombëtar, gjë që justifikon arsyet përse secili vend, në mënyrë të përherëshme, duhet ta perceptojë sigurinë e tij ekonomike në mënyrë të ndryshme.
Për një vend në tranzicion si Shqipëria, siguria ekonomike do të mund të përkufizohej mirë si aftësi për të siguruar rritje të qendrueshme të standartit të jetesës për të gjithë popullsinë nëpërmjet zhvillimit ekonomik ndërkohë që ruan pavarësinë e vet relative ekonomike.
Sikundër shihet qartë siguria ekonomike ka dy anë:
konkurrueshmërinë dhe sovranitetin e pavarur ekonomik;
konkurrencën që gjeneron zhvillim të shëndetshëm ndërsa shkalla e autonomisë ta ruajë ekonominë e vendit nga influencat e jashtme që nuk i përshtaten interesave të saj.
Konkurrueshmëria ekonomike është e domosdoshme jo vetëm për të nxitur rritjen ekonomike të vendit, por gjithashtu për të penetruar në tregun ndërkombëtar, gjë që në periudhën e globalizimit lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me faktin që asnjë vend nuk mund të mbyllet në vetvete për të përballuar sfidat që vijnë nga jashtë.
Për më tepër, të dy këto anë, në mënyrë të ndërsjellë, janë përforcuese.
Si konkurrenca nëpërmjet përparësisë së krahasueshme në tregun botëror, që është baza për rritjen e brendshme ekonomike të qendrueshme, me qëllim që rritja, si përgjigje, t’i japë ekonomisë së vendit një anë në ekonominë e globalizuar.
Pa rritje ekonomike dhe konkurrencë nuk ka siguri ekonomike.
Anë tjetër e sigurisë ekonomike është sovraniteti ekonomik, i cili shihet si masa e kontrollit të ekonomisë së vendit mbi zhvillimin e tij ekonomik dhe aftësive të saj për t’i rezistuar ndërhyrjeve nga jashtë.
Sovraniteti ekonomik përfshin:
1) atë që quhet autoritet ekonomik “joshpërndarës”, që trashëgohet dhe nuk mund të ndahet me vendet e tjera; dhe
2) pushtet ekonomik “shpërndarës” që mund të ndahet me vendet e tjera.
Sovraniteti ekonomik, në vetvete, njësoj si identiteti i vendit nuk transferohet te të tjerët dhe, në ekonomi, sovraniteti pasqyron kontrollin e ekonomisë së vendit mbi industritë dhe ndërmarrjet kyç.
Ndërsa autoriteti ekonomik “joshpërndarës” përmban aspekte të tilla si pushteti i vendim – marrjes strategjike të vendit mbi sistemin e tij ekonomik dhe pronësinë mbi burimet natyrore.
Me pak fjalë: pushteti ekonomik “shpërndarës” përfshin politikat ekonomike dhe industriale dhe hartimin e institucioneve jothelbësore ekonomike.
Kufijtë ndërmjet sovranitetit “joshpërndarës” dhe pushteteve “shpërndarëse”, ndën sovranitet, ndryshon në secilin vend, gjë që varet nga fuqia kombëtare dhe zhvillimi ekonomik.
Sipas rendit të tanishëm ndërkombëtar (modeluar nga kombet e zhvilluara dhe projektuar për të ruajtur pozicionin e tyre ekonomik), forcat e fuqishme konkurruese të vendeve të zhvilluara ndikojnë mbi sovranitetin e vendeve të tjera.
Megjithëatë, shumica e vendeve në zhvillim po fitojnë interesa të rëndësishme ekonomike me hapjen e ekonomive të tyre kundrejt tregut ndërkombëtar.
Prandaj, ruajtja e ekuilibrit delikat ndërmjet këtyre dy prirjeve, shpesh kontradiktore, kërkon një ndjekje të kujdesshme të marrëdhënieve konkurruese komplekse ndërmjet vetë vendeve dhe kapitalit të huaj.
Në një kohë që bashkëpunimi ekonomik në rajon dhe më gjërë, si dhe investimet e kapitalit të huaj nuk kanë arritur pikën e tyre kulminante në Shqipëri, sigurimi i sovranitetit të pavarur mbi ekonominë duhet të jetë themeli i sigurisë ekonomike.
Për këtë arsye politikat preferenciale nuk duhet të kthehen në subvencione, gjë që kërkon nga qeveria që do të vijë në pushtet që Shqipëria të mos mbajë një qëndrim të verbër kundrejt bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe më gjërë, si dhe kundrejt kapitalit të huaj, por të hartojë politika që korigjojnë politikat ekzistuese në funksion të sigurisë ekonomike të vendit.
E kanë apo nuk e kanë në programin e tyre partitë politike kryesore, ose a do ta kenë pas 25 qershorit mbetet për t’u parë, për t’u analizuar dhe, ndoshta, për t’u kënaqur ose për t’u zhgënjyer.
Kasem Seferi – ekonomist