Analistët Mustafa Nano dhe Agron Gjekmarkaj shprehen se PS dhe PD po shkojnë përmes kësaj fushate zgjedhore në një bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Për Nanon, marrëveshja ka në thelb të saj dëshirën për të eliminuar partitë e tjera, ndërsa e sheh të vështirë që Rama dhe Basha të ndërtojnë një Republikë të re.
Nano e sheh LSI në opozitë pas zgjedhjeve dhe i këshillon asaj që të mos e vajtojë këtë fakt, pasi roli i opozitës është i rëndësishëm.
Për Agron Gjekmarkajn, në arritjen e marrëveshjes Rama-Basha duhet të kenë dhënë bekimin edhe ndërkombëtarët. Marrëveshjen Rama-Basha analisti Gjekmarkaj e sheh edhe si një lloj borxhi që dy partitë i lanë LSI-së, si për qeverisjen dhe shqetësimet që i ka krijuar asaj, po ashtu edhe Bashës për bashkëpunimin e shpresuar gjatë protestës në çadër.
Për Mustafa Nanon, nuk mund të bëhet fjalë më sot për marrëdhënie mes PS dhe LSI, por se çfarë efektesh do të ketë kjo marrëveshje dhe kjo përplasje asgjë s’mund të parashikohet sot.
Pas 18 majit kemi një marrëveshje Rama-Basha, e cila po zbulohet ditë pas dite në përmbajtje. Mendoni se kjo marrëveshje mund të shtrihet edhe në një qeverisje PS-PD pas zgjedhjeve të 25 qershorit? Si e shihni këtë dhe sa funksionale mund të jetë?
Mustafa Nano: Unë vetë jam 100% i sigurt se Rama e Basha kanë arritur një marrëveshje për të qeverisur së bashku në katër vitet e ardhshme. Kjo është një gjë që duket. Ato e kanë pushuar luftën ndaj njëra-tjetrës. Të gjitha përpjekjet për të denoncuar, delegjitimuar, e poshtëruar njëra-tjetrën, që kanë përbërë një konstante të garës politike në Shqipëri, kanë sosur si me magji. Demokratët kanë harruar që Rama ishte mafiozi i koncesioneve pa fund që bëri kanabizimin e vendit, ndërsa socialistët kanë harruar se kush ka qenë Basha për të gjithë këto kohë. Duket si situatë surreale. A mund të funksionojë ky koalicion?
Si koalicion mund të funksionojë. Dua të them se nuk ka asnjë pengesë që të realizohet e që të ketë jetë të gjatë. Veçse kam frikë se në themel të kësaj marrëveshjeje ka qenë një dëshirë e të dyja palëve për të pastruar fushën nga të tjerët e për ta pasur tepsinë ato vetë nën kontroll. Do kisha dashur që kjo marrëveshje të ngrihej mbi një shqetësim për të bërë ca reforma të mëdha të rëndësishme apo – për ta thënë me fjalët e Bashës – për të themeluar një Republikë të re, por unë nuk arrij t’i shoh Ramën e Bashën si kalorës të Republikës së re. Janë thjesht dy demagogë të marrosur pas pushtetit. E vetmja risi që sjell kjo marrëveshje është një dialektikë e re demokratike. Tani e tutje përplasja nuk do të jetë mes PS-së e PD-së, por mes këtyre të dyjave e LSI-së. Shenjat janë dhënë. LSI-ja po bëhet gati të dalë në opozitë. Ajo do të jetë opozita e ardhshme. Po e shoh që është duke e vajtuar këtë situatë, dhe nuk e kuptoj pse. Të jesh parti e vetme në opozitë është si të të trokasë fati në derë. Nuk është pak të përfaqësosh e vetme opozitën në jetën politike të një vendi, nuk është pak që institucioni i opozicionit të jetë në dorën tënde. Është e sigurt që të jesh opozita e vetme politike është më shumë sesa të jesh një pjesë e parëndësishme e pushtetit. Ky është një luks që çdo parti serioze do të donte ta kishte. Mirëpo nuk është kështu për LSI-në, me sa duket. Pse? Sepse asaj i është bërë zakon të jetë në pushtet.
Agron Gjekmarkaj: Marrëveshja e ka relaksuar klimën politike, e cila po prekte kufijtë e një konflikti të pazakontë. Zyrtarisht na është thënë se kjo marrëveshje është para elektorale me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pra, s’ka një komunikatë publike të deklarimit të bashkëqeverisjes PS-PD. Por kjo çdo ditë e më tepër duket një fushatë e çuditshme.
Kryeministri, i cili këta katër vjet ka qeverisur keq, shfaqet i qetë dhe as jep llogari për mosrealizimet e në njëfarë mënyre nuk po premton gjë. Komunikimi i tij bazohet mbi batuta, shakara, dollira, diversion dhe cimbisje për liderin e Opozitës me qëllim tërheqjen e këtij të fundit në këtë lojë hidh-e-prit. Kështu tentohet shmangia e çdo debati mbi programin të cilin me gjasë qeveria se ka një të tillë, ndërsa opozita po. Logjika nuk mund ta pranojë këtë si rastësi.
Gjithashtu, me sa thuhet ai lëshoi më shumë se çfarë propozoi Mcallister me kushtin që Basha të mos kërkonte shtyrje votimesh për në korrik. Në këtë mënyrë, ai i dha duart LSI-së dhe partive të tjera të vogla. Nuk u kujdes të ruante një raport me to për ta mbyllur paraprakisht betejën me aritmetikë. Rama dikur fort i zellshëm për deklarim koalicioni befas u shfaq po kaq i zellshëm për të dalë në zgjedhje pa të në fund. Pra, shenja për një bashkëqeverisje ka, teksa palët presin rezultatet e zgjedhjeve për të konfirmuar këtë linjë ose për t’i ikur asaj me prove force.
Duhet thënë nëse do kemi një koalicion të madh në Shqipëri zor të besohet se ai është produkt i vullnetit politik të dy liderëve pa bekimin e ndërkombëtarëve, ndoshta me kushtëzimin e tyre. Personalisht do të mbështesja një konfigurim të qartë pushtet-opozitë për shumë arsye. Ndonëse duke parë që çdo gjë që propozon njëra palë hidhet poshtë nga tjetra, mes akuzash të rrepta ndoshta për t’u dhënë stabilitet dhe besueshmëri reformave që afrojnë procesin e integrimit mund të jetë një eksperiment, i cili duhet parë në proces dhe nën një monitorim të fortë.
Opozita zakonisht denoncon hajdutëritë ndaj mbetet meraku mos na zhduken hajdutët e s’kemi më të tillë si me magji. Gjithashtu lind një kuriozitet i madh. Ai sesi Erjon Braçe e Taulant Balla do ta mbrojnë Lulzim Bashën Kryeministër dhe sesi Edi Paloka dhe Albana Vokshi ministra të kabinetit Rama do t’i thonë atij shef?! A do e thërrasë Rama Vokshin, Pam???!!!
Por duket se kjo marrëveshje një nga pikat e saj ka dhe lënien në hije të partive të tjera, përfshirë këtu edhe LSI-në, për të konsoliduar bipartitizmin. Kjo ka sjellë dhe përplasjen mes PS-së dhe LSI-së, dy parti që bashkëqeverisin. Si e shihni këtë moment në marrëdhënien mes dy partive?
Mustafa Nano: Po, besoj se qëllimi i marrëveshjes është fshirja e nga faqja e dheut e partive të vogla, apo partive të treta. Thuhet edhe se Rama e Basha janë marrë vesh për të bërë një ligj elektoral që të favorizojë vetëm partitë e mëdha. Dhe unë e besoj këtë gjë. Madje, hartimi i këtij ligji (mund të jetë një ligj i ngjashëm me ligjin elektoral grek) ka për të qenë një nga punët e para që do bëjë shumica parlamentare PS-PD. Kështu, nuk mund të flitet më për marrëdhënie PS-LSI. A i bëhet më mirë vendit me këtë? Apo i bëhet më keq? Kjo është një pyetje, së cilës nuk mund t’i japim një përgjigje qysh sot.
Agron Gjekmarkaj: Partitë e vogla shpesh janë dëshmuar parazitare në këtë vend dhe simbole të autokracisë dhe degradimit, një kryetar, një vulë, një zyrë, një votues dhe një deputet për pothuaj 20 vjet rresht. PD me gjasë u fut në një borxh moral ndaj tyre me historinë e çadrës dhe për këtë i shpërbleu disa kryetarë duke i futur në listat e veta në vende relativisht të sigurta, vende të cilat nëse do përballeshin në popull, zor se do t’i fitonin. Edi Rama duke i joshur i bëri ata më të çmueshëm dhe të kushtueshëm për Bashën. Natyrisht ata i qëndruan kauzës së çadrës dhe për këtë siguruan veten d.m.th. Kryetarët, por lanë peng të marrëveshjes partitë. Nuk humben ndonjë gjë të madhe. Të dielën, në plazhin e Malit të Robit pashë një kryetar partie gjithë ditën e lume në plazh. Ishte njëri prej atyre me vend të sigurt në listën e PD-së.
Tanimë pas zgjedhjeve të vitit 2013, LSI nuk konsiderohet më një parti e vogël. Ajo me numrin e saj të konsiderueshëm të deputetëve i ka shtuar pretendimet dhe krenarinë e vet. Ky zgjerim i lejoi asaj të krijonte një klimë trepolare disa herë të dobishme, sidomos gjatë procesit të Reformës në Drejtësi. Marrëdhëniet Rama-Meta dukshëm kanë vuajtur mungesën e besimit dhe intrigat e ndërsjella. Në momentet kyçe të qeverisjes së tij, Rama është ndier i shantazhuar nga aleati.
Po ashtu opozita, e cila shpesh ngjan të ketë shpresuar në bashkëpunimin e LSI për të rrezuar Ramën, ka mbetur po kaq e zhgënjyer dhe buzëplasur nga ikjet e Metës në moment të fundit. Kështu që dy të mëdhenjtë kanë venduar ta ndalojnë hemorragjinë e votave në drejtim të LSI-së me veprime konkrete dhe retorekë të fortë ndaj saj. Kjo ka ngjallur kundërreagim nga LSI që po bën fushatën e saj më aktive dhe agresive që ka realizuar ndonjëherë. Surprizat nuk kanë të sosur në politikën e Tiranës, mbase numrat e LSI dhe ofertat e saj mund t’i tundojnë dy protagonistët e marrëveshjes të synojnë të marrin ose rimarrin karrigen e Kryeministrit me ndihmën e LSI. /360grade.al/