Home KRYESORE Reforma në drejtësi, ankimim në fshehtësi të Vettingut te Kushtetuesja

Reforma në drejtësi, ankimim në fshehtësi të Vettingut te Kushtetuesja

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese sërish Ligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë.

Shoqatat kërkojnë që gjykata të shfuqizojë si të papajtueshme me kushtetutën kushtet e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, konkretisht nenin 7 në pikat a dhe c ku thuhet se gjyqtarët në kohën e kandidimit, të kenë ushtruar funksionin e gjyqtarit për të paktën 10 vjet dhe të jenë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të performancës etike dhe profesionale

Gjyqtarët kërkojnë shfuqizimin e pikës 1 të nenit 59 ku thuhet se Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhen në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve.

Në pikën 8 të nenit 62, ku thuhet se Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit përbëhet nga 2 anëtarë jo gjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar, shoqata e gjyqtarëve kërkon që të hiqen fjalët 2 anëtarë jo gjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar.

E njëjta gjë kërkohet edhe në pikën 13 të nenit 62 ku ligji citon: Për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, krijohet një komision i përkohshëm i përbërë nga 2 anëtarë jo gjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar

Shoqata e gjyqtarëve kërkon të shpallen si të papajtueshme me kushtetutën edhe pika 6 e nenit 68, pika 2 e nenit 72, pika 1 e nenit 157, pika 8 dhe 13 e nenit 160, pika 6 e nenit 166 dhe pika 2 e nenit 175.

Kërkesa është bërë më datën 25 maj dhe ky është ankimimi i 4 që vjen në Gjykatën Kushtetuese për ligjet e reformës në drejtësi pas ligjit të Vettingut dhe ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Share: