Home KRYESORE Shënime për zhvillimet në anën e oqeanit Paqësor. Nga Kasem Seferi

Shënime për zhvillimet në anën e oqeanit Paqësor. Nga Kasem Seferi

“Lereni Kinën të flejë, por kur të zgjohet ajo, do ta tundë botën”

                                                                                                                     Napoleon Bonaparti

“A kërcënohet pozicioni i Amerikës në botë me rritjen e ekonomisë dhe me shtrirjen e arritjeve politike të Kinës dhe të Indisë?”.

Pyetja që bëjnë analistë të ndryshëm në mbarë botën me qëllim që të marrin një përgjigje të qartë në lidhje me të ardhmen e ekonomisë botërore pas krizës së fundit financiare dhe ekonomike globale.

Shumë prej tyre mendojnë se, vërtetë, Kina dhe India po ngrihen, por kjo nuk nënkupton atë që SHBA do të humbë kontrollin e çështjeve botërore me të cilat, tashmë, ka qenë kaq e familjarizuar.

SHBA vuajti nga një rënie relative, por megjithëatë, mbetet vendi i parë, për arsye se ka mësuar se si të përgatisë dhe të ndërmjetësojë marrëdhëniet e vendeve të tjera me mënyrën e Bismarkut, si dhe të pushojë që të përpiqet të diktojë me mënyrën e George W. Bush, madje, edhe me mënyrën e Bill Clintonit.

Pa dyshim, ngritja e Kinës është një nga dramat e mëdha të shekullit 21 – të.

Tashmë, rritja ekonomike e jashtëzakonshme e Kinës dhe diplomacia aktive e kanë transformuar Azinë Lindore, madje dhjetëvjeçarët e ardhshëm po shohin rritje të mëdha të fuqisë dhe influencës së Kinës.

Por, në mënyrë të saktë, si do të luhet kjo dramë mbetet një çështje e hapur.

A do ta përmbysë Kina rendin ekzistues, apo do të bëhet pjesë e tij?

Çfarë do të bëjnë SHBA për të ruajtur pozicionin kur Kina të vazhdojë të ngrihet?

Disa vëzhgues kanë besuar se kohës së SHBA i pat ardhur fundi, për arsye se rendi botëror i bazuar te Perëndimi zevendësohet nga një rend që, gjithnjë e më shumë, supozohej se po dominohej nga Lindja.

Historiani Niall Ferguson i Universitetit të Harvardit pat shkruajtur vite më parë se shekulli i përgjakshëm i 20 – të dëshmoi “zbritjen e Perëndimit” dhe “një riorientim të botës” drejt Lindjes.

Realistët vazhdojnë të venë në dukje se ashtu sikundër Kina bëhet më e fuqishme dhe pozicioni i SHBA erodohet, dy gjëra ka të ngjarë të ndodhin:

Ose Kina do të përpiqet të përdorë influencën e saj të rritur për të rimodeluar rregullat dhe institucionet e sistemit ndërkombëtar (siç u vu re në G 20, FMN dhe Bankën Botërore) për t’i shërbyer më mirë interesave të saj, ose shtetet e tjera në sistem (veçanërisht, hegjemonia e rënë) do të fillojnë ta shohin Kinën si një kërcënim në rritje të sigurisë.

Rezultati i këtyre zhvillimeve, parashikojnë ata, do të jetë tensioni, mosbesimi dhe konflikti, tipare tipike të tranzicionit të pushtetit.

Në këtë pikëpamje, mendohej se drama e ngritjes së Kinës, do të kishte tiparet e një Kine që ngrihet dhe një SHBA në rënie, mbyllur në një betejë epike mbi rregullat dhe lidershipin e sistemit ndërkombëtar.

Ashtu sikundër vendi më i madh i botës shfaqej jo nga brenda, por nga jashtë rendit ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, shihej si një dramë që do të merrte fund me një ngjitje të madhe të Kinës dhe mësymjen e rendit botëror me qendër në Azi (Jacques Attali).

Analistë të tjerë, ndër ata Fareed Zakaria, mendonte se, që nga koha e rënies së Bashkimit Sovietik, njerëzit kanë vërtetuar se bota pat hyrë në një periudhë të re, e cila karakterizohej nga nivele më të ulta të sherrit politik ndërmjet fuqive të mëdha, tregjeve të lira, tregtisë së lirë dhe revolucionit të informacionit.

Natyrisht, me një fjalë të vetme: “globalizimi”. Dhe hamendja është se ashtu sikundër globalizimi rritet dhe përbërësit individualë të tortës do të rriteshin gjithashtu në forcë.

Forcat e tregut do të bëheshin më të forta, teknologjia do të bëhej më bindëse, duke iu dhënë individëve autonomi më të madhe dhe konflikti politik ndërmjet fuqive të mëdha do të bëhej më i kushtueshëm.

Por, një diçka argëtuese, ndodhi në rrugën për një ekonomi të hapur globale – ngritja e e tregut global ka çuar në ngritjen e pasurisë të kombeve të mëdha dhe kjo, si përgjigje, ka çuar në një ngritje të rëndësisë dhe fuqisë së qeverive të këtyre vendeve.

Ndërsa 20 vjet përpara’ lista e kompanive të mëdha në botë dominohej nga firmat private, tani, veçanërisht në Kinë, dominohet nga entitetet me pronë shtetërore, si dhe në shumë nga tregjet e vendeve në zhvillim.

Kompanitë shtetërore kineze, për shembull, tani jo vetëm që dominojnë ekonominë kineze (nga 100 kompani 99 janë shtetërore), por gjithashtu luajnë një rol gjithnjë e në rritje në panoramën globale.

Ato luajnë me rregulla të ndryshme dhe kanë qëllime të ndryshme nga ato të kompanive private në Perëndim.

Veprimet e Presidentit Trump të kohëve të fundit duhen parë në këtë kontekst dhe jo duke krahasuar të pakrahasueshmen.

Përgatiti: Kasem Seferi

Share: