Lulzim Basha nuk po qëndron aspak i “ngrirë”, madje këtë e tregoi duke bërë veprimin e gabuar që nga dita e djeshme. Ky është mendimi i ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili është shfaqur kritik ndaj kreut demokrat Lulzim Basha, megjithëse pati një afrim të tij në zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajtën në Dibër.
Në një reagim për “Panoramën”, pas vendimit për hapjen e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, Mustafaj sqaron se Basha po del zbuluar dhe po tregon se ka ndikim të plotë te dy kryetarët që janë përcaktuar për të administruar procesin.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, vendimi për të lënë vetëm katër ditë kohë për regjistrimin e kandidatëve në garë, tregon se Basha kërkon të shmangë debatin lidhur me bilancin e tij.
“Nëpërmjet dy nënkryetarëve ai caktoi datën e zgjedhjeve. Ky vendim e nxjerr zbuluar Bashën dhe tregon se ai ka ndikim të plotë mbi dy nënkryetarët e caktuar nga ai për të administruar procesin zgjedhor brenda partisë. Unë kuptova kështu se Basha kërkon një fushatë të shkurtër për të shmangur debatin lidhur me bilancin e tij”, shprehet Mustafaj.
Sipas kryesuesit të listës së firmëtarëve që i kërkuan Bashës dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së, vendimmarrja për të përcaktuar një datë shumë të afërt për regjistrimin e kandidatëve është një tjetër taktikë që Basha po përdor për të përjashtuar rivalët e mundshëm nga gara.
Mustafaj thekson se kandidatët duhet të kenë kohën e nevojshme të reflektojnë, përpara se të vendosin për të qenë pjesë e garës për kreun e PD-së. Duke iu referuar statutit të PD-së, Mustafaj deklaron se Basha nuk ka të drejtë të përcaktojë datën e zgjedhjeve, pasi ajo vendoset nga Kryesia pasi të jetë përcaktuar rregullorja dhe të jetë dakordësuar me kandidatët që do të marrin pjesë në garë.
“Po ashtu ai kërkon të përjashtojë rivalët e mundshëm duke u hequr atyre kohën e nevojshme për të reflektuar para se të hedhin hapin e kandidimit. Caktimi i datës së zgjedhjeve nuk është e drejtë e Bashës.
Ajo duhet të bëhet nga kryesia pasi të jetë hartuar edhe rregullorja e posaçme, që mungon, dhe në konsensus me kandidatët.
Së fundi, më vjen keq për veprimin e nxituar të dy nënkryetarëve, të cilët nuk i kanë shërbyer qysh ditën e parë krijimit të një atmosfere besimi te ne demokratët lidhur me transparencën, drejtësinë dhe barazinë që do të tregojnë gjatë këtij procesi jetik për të ardhmen e PD-së dhe të opozitës. Përgëzoj sekretarin e përgjithshëm Ristani, që nuk ishte bërë pjesë e këtij gabimi”, deklaron Mustafaj.