Nga Dr. Sorina Koti
Sa e vështirë është t’u drejtohesh emigrantëve shqiptarë, një herë në katër vjet dhe posaçërisht gjatë muajit të fushatës, ku çdo forcë politike i drejtohet këtij komuniteti për t’i rrëmbyer votën. Historikisht në 27 vjet kjo ka rezultuar një gënjeshtër e madhe, një hipokrizi pafund. Premtime, premtime, premtime…
Emigrantët, njerëzit tanë familjarë, miq e shokë, të cilët jetojnë larg Shqipërisë, nuk trajtohen njëlloj si shqiptarët, që jetojnë në Shqipëri; nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë mbështetje nga vendlindja e tyre, nga shteti dhe Qeveria shqiptare.
Vendi ynë ka vuajtur tej mase emigracionin, ikjen e të rinjve dhe krahut të punës; ikjen e trurit; dhe ende sot e kësaj dite nuk ka një stabilitet ekonomik-financiar. Shqipëria, si një vend me të ardhurat për frymë më të ulëta në Rajon, u mbështet fort në remitancat e emigrantëve. Për shumë familje shqiptare, të ardhurat nga emigracioni ishin të ardhurat e vetme, që ato kishin. Gjithashtu, remitancat ishin një burim kyç për depozitimet në sistemin financiar shqiptar. Ndikimi i tyre u ndje fort gjatë viteve të para të krizës botërore dhe kryesisht asaj europiane, ku remitancat e shqiptarëve ranë ndjeshëm. Kjo ndikoi negativisht në ekonominë shqiptare, por gjithsesi, aq pak sa hynin, përsëri mbanin gjallë frymën konsumatore shqiptare.
Rëndësia e emigrantëve nuk lidhet vetëm me remitancat e tyre, por edhe me shit-blerjet e pasurive të paluajtëshme, apo në zhvillimin e sektorit privat. Emigrantët janë faktor kyç. Atëherë, kur emigrantët luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, pse harrohen nga klasa politike?
Qeveri Rama u premtoi programe integruese emigrantëve të kthyer në Shqipëri dhe mundësi shkollimi për fëmijët e tyre, me programe shtesë mësimore. Asgjë… Asnjë emigrant i kthyer nuk mori mbështetje për t’u ri-integruar në jetën shqiptare; asnjë emigrant nuk gjeti punë, duke u regjistruar në Zyrat e punës; asnjë fëmijë emigrant nuk mori programe shtesë mësimore për t’u adoptuar me sistemin arsimor shqiptar. E mbi të gjitha, asnjë emigrant nuk gjeti mbështetje institucionale shqiptare për problemet, që ata kanë pasur në vendet e huaja ku jetojnë e punojnë. Përkundrazi, numri i emigrantëve u shtua edhe më me rreth 300.000 shqiptarë të tjerë në këto 4 vitet e fundit.
Tani është koha, kur Kryeministri Rama dhe ish zv/Kryeministri kanë intensifikuar komunikimin dhe takimet me emigrantët; kanë intensifikuar kontaktet dhe premtimet ndaj tyre. Atëherë, kur qeveritarët nuk i kanë mbështetur emigrantët gjatë këtyre viteve, pse u kërkojnë përsëri votën? Ku është morali të premtosh e të ri-premtosh të njëjtat gjëra, e të mos mbash asnjë? Çfarë po u premtojnë sot emigrantëve politikanët shqiptarë?
Emigrantët nuk kanë më besim tek politikanët dhe politika shqiptare. Emigrantët i urrejnë politikanët shqiptarë, pasi tek ata nuk ka më asgjë njerëzore. Çdo gjë ështe kthyer robotike dhe interesa të ngushta. Tashmë shqiptarëve, ne që kemi mbetur këtu dhe ata, që janë në emigracion, nuk u ngelet gjë tjetër, veçse të ngrejnë zërin për të drejtat e tyre; për ngritjen e ekonomisë bazë familjare, për të mos rënë pre e premtimeve boshe elektorale. Shqiptarët duhet të marrin fatet e tyre në dorë, për të mos ua lënë më politikanëve të sprovuar e zemër robot.
- Koordinatore ekonomie, PD