Sali Berisha po i ngjan përditë e më shumë nje pensionisti që ndërsa i digjet shtëpia, vazhdon të ujisë bahçen e komshiut. Kur të gjithë shohin sesi PD-ja po shkërmoqet, kur të gjithë janë të shqetësuar për përçarjen që kanë sjellë vendimet e Lulzim Bashës për të organizuar një palë zgjedhje farsë, ish lideri megjithëse i ka rralluar statuset në Facebook, edhe kur merr mundimin të ulet e të shkruaj nuk e përmend atë që po ndodh në shtëpinë e tij. Me përjashtim të një komunikimi të gjatë që sejcili mund ta interpretonte në mënyrën e tij (kundërshtarët e Bashës theksojnë togfjalëshin se ai është përgjegjësi më i madh për humbjen, kurse përkrahësirt apelin për të mos u përçarë), Berisha po qëndron larg kësaj lufte vëllavrasëse.
Po pse po hesht Sali Berisha?
Kësaj pyetje nuk i kanë dhënë dot përgjigje as dy figurat e PD-së që e kanë takuar dje veç e veç. Eduart Selami rivali i Bashës në garë dhe Astrit Patozi që kanë parakaluar dje në zyrën e doktorit, i kanë thënë njerzve të tyre se ata kanë parë një burrë të pafuqishëm për të ndaluar yryshin e pasardhësit për ta akaparuar partinë dhe për ta shndërruar atë në një ndërmarrje biznesi në favor të familjes së tij.
Po a përkthehet në këtë mënyrë heshtja enigmatike e Sali Berishës? A e ka vënë atë Basha me shpatulla për muri? A mos vallë krenaria prej malësori po e gërryen ndërgjegjjen e tij dhe nuk po e lë të pohojë me zë të lartë se gabimi më i madh i karierrës së tij politike ka qenë dorëzimi i partisë tek Basha? A po e mundon Berishën kjo dilemë dhe a po e sfilit atë lufta e brendëshmë per të folur kundër farsës që po organizon kryetari i PD-së?
Po t’i besosh një pjese të grupit anti Basha është pikërisht kjo që po ndodh në këto momente. Ata jo më kot kujtojnë një shprehje të Olldashit që Basha do ja fusë edhe Berishës pas disa kohësh. Ata duan të besojnë qorrazi në pafuqine e një burri të plakur që tani heziton të turpërohet edhe publikisht duke pranuar që përzgjedhja e tij ka qenë më e gabuara e mundshme.
Por, nga ana tjetër janë edhe ata që mendojnë krejtësisht të kundërtën. Sipas tyre gjithçka po bën Luli (jo në mistrecllëqet e vogla por në strategjinë e madhe) ka konsensusin e doktorit. Me këtë konsensus ai mbylli çadrën dhe bëri marrëveshjen me Ramën. Me këtë konsensus ai futi ministra në qeveri njerëz shumë pranë ish kryeministrit dhe familjes së tij. Me këtë konsensus ai spastroi listat nga të gjithë ata që do t’i shkaktonin kokëçarje nëse humbte thellë, dhe do ta sulmonin më keq nëse arrinte një rezultat më të mirë dhe shfrytëzonte këtë për të shkuar në koalicion me Ramën.
Edhe pasi shpalli “ngrirjen” ai huazoi një term të futur në politikë nga Berisha. Ai ndoqi të njëtën rrugë që i dha PD-së Berisha pas zgjedhjeve të 2013, kur rrefuzoi të bëjë analizë dhe propozoi një garë sa më të shpejtë për t’i vënë kapak me urgjencë sherreve.
Pra shumë gjëra të bëjnë të besosh se Basha apo zbaton një rrugë të vizatuar së bashku me mentorin e tij. Pra që Berisha është dakord por ai nuk flet pasi nuk do t’i kundërvihet grupit të madh të bashkëpunëtorëve të tij, që përbëjnë bashkë me të memorien dhe trashëgiminë e PD-së. Në këtë moshë të thyer ai nuk do më t’i hyjë fshesës së një spastrimi të ri dhe për këtë ia ka lënë stafetën Lulit.
Ky është version më i mundshëm. Megjithëse në PD janë të shumtë ata që mendojnë ende se doktori nuk është dakord me ato që po bën pasardhësi, se ai po e vuan këtë gjendje, por se krenaria dhe përzgjedhja e gabuar, nuk po e lënë ta artikulojë publikisht këtë dështim. (Lapsi.al)