Home KRYESORE Dhërmi, Ministria e Kulturës: Ndërtimet në zonë të mbrojtur!

Dhërmi, Ministria e Kulturës: Ndërtimet në zonë të mbrojtur!

Prishja e dy godinave në Drimadhës ditën e djeshme nga IKM, ka sjellë ragimin e Ministrisë së Kulturës.

Kjo Ministri sqaron se shembjet janë pjesë e një procesi të nisur që në prill të vitit 2016 nga Ministria e Kulturës për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në këtë zonë si edhe ky vendim është diskutuar, konsultuar edhe me pushtetin vendor në Himarë.
“Plani përkatës, pjesë e një strategjie në nivel kombëtar, është konsultuar gjerësisht dhe është miratuar bashkë me komunitetin dhe organet e pushtetit vendor të Bashkisë Himarë”.

Gjithashtu në deklaratën e Ministrisë së Kulturës theksohet fakti se ndërtimet e prishura janë ndërtime që cenojnë trashëgiminë, pasi ishin të ngritura mbi një burim uji brenda zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore.

Kësisoj, janë identifikuar edhe ndërtimet që cënojnë trashëgiminë, janë bërë të gjitha njoftimet përkatëse në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje, shpronësimin, si dhe janë kompensuar pronarët në bazë të ligjit në fuqi. Në rastin konkret, bëhet fjalë për dy godina të ngritura mbi një burim uji brenda zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore.

Sipas Ministrisë së Kulturës, pronarëve të prekur u janë respektuar të gjitha procedurat ligjore.

“Për pronarët e prekur janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, si për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe në përputhje me të gjitha normat e konventat ndërkombëtare”,thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.

Prishjet e djeshme në Dhërmi sollën edhe reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila u shpreh se ndërtesat turistike të prishura ishin godina që i përkisnin minoritetit grek në Himarë./lapsi.al

Share: