Home KRYESORE Euro për pushime? Rritet serish sot në tregun vendas…

Euro për pushime? Rritet serish sot në tregun vendas…

Për të gjithë ata që kanë planifikuar që të shkojnë për pushime jashtë vendit në muajin gusht, ka një lajm të keq.

Prej më shumë se dy javë, euro vetëm po forcohet në tregun e brendshëm, duke e bërë më të shtrenjtë blerjen e monedhave dhe kartëmonedhave që duhen për të shkuar në vendet e eurozonës.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 133.12 lekë, 0.05 lekë më shumë se një ditë më parë. Monedha e përbashkët po forcohet në tregun e brendshëm prej dy javësh radhazi, duke iu larguar nivelit minimal prej 131.98 lekë, që arriti në 27 qershor.

Ndonëse tradicionalisht euro në tregun e brendshëm fillon e zhvlerësohet në fund të korrikut dhe fillim të gushtit, si rrjedhojë e efekteve sezonale, që lidhen me prurjet e turistëve dhe emigrantëve, këtë vit, kjo nuk po ndodh, të paktën deri tani. Arsyeja kryesore lidhet me forcimin e euros në bursat ndërkombëtare, ku një euro këmbehet me 1.17 dollarë, si rrjedhojë e parashikimeve optimiste për ekonominë e eurozonës dhe pritshmërive jo aq optimiste për ekonominë amerikane.

Gjithsesi, në krahasim me një vit më parë, euro është sërish më e lirë në tregun vendas. Në të njëjtën datë të një viti më parë, një euro këmbëhej me 136.29 lekë. Kjo nënkupton se nëse do të duhet të blini 1,000 euro, do të kurseni rreth 3200 lekë në raport me një vit më parë.

Më të fituar janë ata që kanë në plan të udhëtojnë në Amerikë, apo në vende ku paguhet me dollarë. Një dollar këmbehej sot me 113.73 lekë, nga 122.85 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe gati 129 lekë, që ishte në fillim të këtij viti.

Nëse do ju duhet të këmbeni sot 1000 dollarë, do të kurseni rreth 9100 lekë, në krahasim me datën 28 korrik të një viti më parë.

Gjithsesi, për përdoruesit e euros ka ende një shans. Ekspertët e tregut valutor pohojnë se gjithnjë në fillim të muajit gusht, kur shtohet fluksi i emigrantëve, ka një forcim të monedhës vendase. /Monitor/

Share: