Home KRYESORE Fuga: 11 hamendje, çfarë bëjnë në këtë zheg ministrat teknikë

Fuga: 11 hamendje, çfarë bëjnë në këtë zheg ministrat teknikë

Përmes një statusi në ‘Facebook’ akademiku Artan Fuga bën një analizë për ministrat teknikë të propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit. Artan Fuga poston me ironi 11 hamendjet për detyrat që ata mund të jenë duke bërë sipas tij, pasi vijojnë të qëndrojnë ende në detyrë.

Statusi i Plotë i Artan Fugës: 

11 hamendje: çfarë bëjnë në këtë zheg ministrat teknikë!

Ministrat teknikë po shkruajnë raportet për shkeljet e administratës në zgjedhjet e 25 qershorit – u tha publikisht.

Ore nuk kanë shkruesa (hand) këta sikurse kishte shoku Zylo si shkrues Bamkën te romani i shkrimtarit Dritëro Agolli?

Ore se mos u kërkojnë edhe të pastrojnë dikasterin?

Përse i trajtoni kështu?

Lutem, meqë televizori im ka defekt, kur të jepet lajmi që ministrat teknikë, sipas njoftimit që është bërë, të kenë mbaruar së shkruari raportet për shkeljet administrative të punonjësve në varësi të dikasterit ku qendrojnë, gjatë zgjedhjeve të kaluara,

ndonjë nga miqtë këtu të më njoftojë.

Pse do të thoni ju ?

1. Sepse dua të di nëse job description i një anëtari të qeverisë e përmban këtë gjini shkrimi : raport për sjelljen e administratës gjatë zgjedhjeve!!!

2. Kujt do t’ja paraqesin atë raport, se mesa kam unë dijeni për etikën e burokracisë, ata nuk mund t’ia japin opinionit publik, por numrit një të ekzekutivit, a thua se qeveria ka nevojë për ministrat teknikë për këtë punë.

Pra, cfarë punë ka opozita me një detyrë administrative brenda hierarkisë qeveritare???

3. Sa duhet për ta shkruajtur atë raport, se mos u ndodh si me atë barcaletën në kohën e monizimit:

Njeri hyri në punë si pastrues rrugësh. I thanë :
Ti do të fshish rrugën e Durrësit.
Mirë – tha ai i shkreti.
Kush fliste dot atëhere??? Njësoj si sot në grupin parlamentar. Erdhi muzgu. Prit që ai të kthehej dhe të dorëzonte fshesën prej shqope në magazinë. Hiç. Prit një ditë, dy, tre. Hic. Kur ra një zile telefoni.
Ishte fshesaxhiu :
O shefo, tha, më dërgoni një fshesë tjetër, se kam arritur te Ura e Daljanit pothuajse por më është është konsumuar fshesa.

4. Unë mezi po pres t’i lexoj ato raporte, nëse nuk do të jenë top sekret, sepse me siguri do të jenë perla proze nëse nuk do të jetë poezi ose balada epope. Po kam frikë se do të jenë shumë të gjatë. Dhe po qe se do të jenë aq të gjatë sa kohë marrin për t’u shkruajtur, kam frikë se nëse ministrave teknikë do t’u kërkohet të bëjnë edhe redaktimin e shkarakavinave që thuhet gjoja se po bëjnë, atëhere kam frikë se do të na ndodhi si me Sherazaden te “Një mijë e një netët”, përralla arabe ku nusja e gënjente burrin, princin, duke e vendosur në gjumë për të mos bërë seks me të.

5. Jam kurioz të di në fund të proçesit nëse këta ministrat e pafajshëm teknikë do të shkruajnë vetëm raportet për shkeljet administrative në ministritë e tyre, apo do të shkruajnë edhe për ministritë e tjera ku drejtojnë ministrat socialistë?
Apo këta të fundit me inteligjencë as ja fishkëllejnë kësaj pune fare. Këtë detyrën këtyre teknikëve ja u ka vendosur kryeministri, apo kush tjetër? – sepse nuk po merret vesh kjo punë!

6. Jam gjithashtu kurioz të di se ku i marrin të dhënat e shkeljeve këta ministra. Sepse si rregull duhet t’i marrin nga vartësit e tyre në të gjithë hierarkinë e pushtetit ekzekutiv. Por, këta të fundit as ua fishkëllejnë atyre sepse dihet se këta janë ministra me kontratë të përkohshme. Presin ata që ata që mund të kenë bërë shkelje të raportojnë shkeljet e tyre ose të kolegëve të tyre?

O i shkreti unë!

7. Apo mos të dhënat i marrin nga dëgjesa publike? Por, unë nuk shoh që opozita të bëjë dëgjesa publike të paktën me elektoratin e saj. Ankohet vetëm për dëgjesat publike të zotit kryeministër, por vetë nuk bën. Nëse ka ndrojtje se mos i thonë se po kopjon stilin e qeverisë, le të bëjë aktivitete të tjera si përshëmbull : “Bisedë rreth zjarrit partizan”.

8. Mua më duket se në këto ditë vere opozita është me pushime, çka është e natyrshme pas lodhjes disamujore të fushatës, edhe administrata është me pushime sepse kur nuk ka qeveri të re ende, nëpunësit natyrshëm janë disi inaktivë. Të vetmit që punojnë në mes të zhegut janë ministrat teknikë.
Nuk punon as mishi as peshku, por punojnë këta që janë as mish as peshk. Ata që sot janë ministra dhe nga dita në ditë do të jenë përsëri të papunë, pothuajse.

9. Kam edhe një paqartësi. Kur ministrat ende nuk i paskan shkruar ato raportet, përse nuk pret opozita faktet, por ankohet se administrata ka qenë e mobilizuar kundër saj përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare? Ose e di këtë fakt dhe nuk ka nevojë për raportet, i di hollësisht, ose nuk i di, pret t’i dijë, dhe atëhere nuk duhet të flasi. Thjesht logjikë elementare që nga koha e gjeometrisë të Pitagorës.

10. Mos vallë pret që qeveria raportet që ka porositur të shkruajnë ministrat teknikë, e ka bërë në mënyrë që me këto raporte të furnizojë opozitën me të dhëna, që opozita të kritikojë qeverinë me të dhënat që asaj i ka dhënë qeveria? Po qe se ndodh kjo atëhere do të më kujtonte Jaroslav Hashekun e famshëm kurse Shvejkët do të ishim ne qytetarët.

11. Kush do ta ketë të drejtën e autorit për këto raporte – epope, qeveria, ministria përkatëse, opozita, vetë ministri, apo do të jetë një raport me autorësi të përbashkët? Kjo do të kishte qenë vërtet një perlë politiko-administrative.

Ministrat po bëjnë edhe punën e shkruesave që punojnë edhe për Kontrollin e Shtetit, edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, edhe për OSBE, që e kanë genuine të tregojnë publikisht sjelljen e administratës gjatë, para dhe pas procesit zgjedhor.

Ata po i shfrytëzojnë të gjithë. Ama… nuk besoj se ata po shkruaajnë gjë pe gjëje. Ku ka budallenj sot!

Share: