Ka përfunduar mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së Partisë Demokratike pas rreth dy orësh. Kryesia miratoi kandidaturat në garën për kryetarin e ri të PD-së. Mbledhja u drejtua nga sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani dhe dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, pasi Lulzim Basha nuk mori pjesë. Kryesia vendosi që Lulzim Basha dhe Eduard Selami do të jenë kandidatët që do të garojnë për tu zgjedhur kryetar i PD-së. Në këtë mbledhje nuk munguan edhe debatet dhe më poshtë lapsi.al sjell disa nga deklaratat më pikante në këtë mbledhje.
Majlinda Bregu
“Nuk më intereson kryetari i PD. As që të merrem me variantin një kundër disave, disa kundër disave se kjo do të thotë shkatërrim përfundimtar i PD. Por ti vëmë kapak se kjo na ra e të dalim të frymëzojmë demokratët për beteja të reja, është tallëse. Si do i frymëzoni? Ua kam thënë prej vitesh këto po s’donit të dëgjonit as të shihnit ku po gremiseshim. Ia kam thënë Bashës këtu në mbledhje, ka 4 vite që ka nisur përçarja e PD. Fryma e përçarjes dhe e linçimit publik për këdo që fliste e kërkonte të shihte brenda nesh çfarë nuk shkonte për humbjet tona. Siç e sheh kjo mbledhje nxori nevojën e tmerrshme që duhet të kishim folur para kësaj mbledhje. Të debatonim, flisnim, bërtisnim po të doni, por të shihnim njeri-tjetrin në sy për gjëmën që na ka zënë”.
Arben Imami
“Duket sikur treni është për poshtë. Mund të krijohet dhe rikrijohet besimi vetëm me një garë të hapur, te ndershme dhe ku dëgjohen të gjithë. Sipas konceptit tim është shkelur statuti, por nuk është ky thelbi. Mendoj se po bëhet një garë e pandershme. Nëse në një pakicë të dërrmuar si kjo dhe një pjesë e partisë do ta quajë garën të pandershme. Të bëjmë një garë në ndershme që kryetari të jetë i pakontestueshëm. Në qoftë se zoti Basha mban ende ndonjë kandidat rezervë se Eduard Selami ka mundësi të ikë kjo do ta bënte garën qesharake”.
Gerti Bogdani
“Nëse një njeriu i duhen pas 27 vitesh karrierë politike i duhen edhe 27 ditë ekstra për të shpalosur platformën e tij politike atëherë të kos kandidojë fare. Pandershmërinë e garës e cakton procedura e garës, një anëtar një votë. Dhe boll nxorrëm të palarat tona”.
Oerd Bylykbashi
“Nuk është çështja kur do të kemi garë, por si do ta kemi garën. Momenti kur ne garantojmë standardet bazë për një proces brenda partisë pavarësisht kush mbetet i pakënaqur për rezultatin. Duhet të kemi liri për kandidatët. Duhet të kemi listë të qartë zgjedhësish dhe kjo të jetë shumë e qartë, transparente për të gjithë. Nga baza kemi pasur raportime se ka anëtarë që nuk janë në listë. Siguroni kandidatët dhe listën e zgjedhësve këto janë kryesore. Garantoni transparencën e procesit. Si po i heqim kandidatët e tjerë duke lënë vetëm dy që të mos kemi probleme pastaj”.
Jamambër Malltezi
“Të bëhet analiza e humbjes së zgjedhjeve. Është qesharak ky proces kaq i shpejtë”. /LAPSI.AL/