Home KRYESORE Ja si po “vdesin” në heshtje shqiptarët

Ja si po “vdesin” në heshtje shqiptarët

Nga Ema Shazivari

Mbetjet Spitalore janë lloji më i rrezikshëm i mbetjeve të cilat shumë pak e kuptojnë, (ose nuk duan ta kuptojnë). Kur vjen sezoni i verës, të gjithë njerëzit të paktën një herë në jetë kanë rastisur që në bregun e detit në vend të leshterikëve apo gaforreve që vijnë biologjikisht nga deti, të gjejnë peshqesh edhe shiringa, age, ilaçe apo çfarëdolloj pisllëku tjetër që nuk e ka vendin aty. Të gjithë mund të pyesin veten të paktën njëherë se si dreqin rastisin aty por përgjigja është e thjeshtë, papërgjegjshmëria e 2-3 njerëzve të pangopur të cilët për miliona lekë vënë në rrezik jetën e miliona njerëzve.

E dini se çfarë rreziku ka vetëm një shiringë e përdorur? Infeksione nga më të tmerrshmet (në varësi të përdoruesit), papastërti për mjedisin dhe le të mos flasim se çfarë mund t’i shkaktojë një fëmije të vogël kurioz. Tani imagjinoni pak miliona shiringa që qarkullojnë në spital çdo vit dhe përfundojnë të gjitha aty ku laheni ju, fëmijët tuaj dhe gjithë Shqipëria. Ndoshta shpjeguar kaq thjeshtë është më e qartë por heshtja e të gjithëve po na vret egërsisht dhe pa mëshirë.

Emisioni “Stop” paraqiti një rast skandaloz, ku mbetjet spitalore derdheshin në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme në lumin Erzen. Të gjithë u alarmuan për të paktën 10 minuta, shan mallkuan shtetin dhe më pas vazhduan jetën. Por a e dini se sa vret kjo heshtja juaj? A e dini se këto mbetje janë edhe më të rrezikshme se armët kimike për të cilat protestuat me ditë të tëra përpara kryeministrisë? Po ta dinte të paktën 20% e popullësisë se në çfarë kanceri po jetonte sot nuk do ishte duke vazhduar jetën. Do dilte përpara gjykatës dhe të kërkonte drejtësi. Do kërkonte burg urgjent për atë administratoren monstër e cila vlerëson jetën e miliona shqiptarëve si të pavlerë. Nuk po na vret babëzia dhe as papërgjegjshmëria e pushtetit. Ne po vrasim veten nga heshtja jonë dhe nga pasiviteti që na karakterizon….

Të mos e kuptosh diçka është njerëzore, por të shtiresh sikur nuk e kupton është e pafalshme. Në një vend social, ky lloj skandali do alarmonte të madh e të vogël, dhe do cilësohej “krim kundër njerëzimit”, por në Shqipërinë tonë të vogël nuk vjen as deklarata nga institucioni përgjegjës dhe personi që i dha konçensionin kësaj firme gjakpirëse. Një shprehje thotë “nuk mund të zgjosh nga gjumi një person që bën sikur fle”, dhe kjo është fatkeqësia e një vendi të bekuar që u mallkua nga njerëz të tillë…./opinion.al

Share: