Home KRYESORE PD? Jo më Selami vs Basha por Berisha vs Çili. Nga Armir...

PD? Jo më Selami vs Basha por Berisha vs Çili. Nga Armir Shkurti

Kjo garë bajate për kryetar partie ka nxjerrë në fakt mbi ujë problemin e vërtetë të lidershipit në PD. Basha është një kokë që vërtitet nga një qafë, ku 1/3 është Henri Cili. Nuk është zbulimi ynë, por një e vërtetë e shumënjohur edhe se kush janë dy të tjerët. Por Çili ka qenë më agresivi ndër ta.

Anëtarët demokratë të Komisionit të ardhshëm parlamentar të Arsimit dhe Medias janë të lidhur drejtpërdrejt me UET -in, duke qenë garanci për investimin jo vetëm ekonomik të Henrit por edhe burimet njerëzore.

Me këto burime njerëzore Çili ka mbushur PD -në dhe sidomos Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Për një lajthitje të Çilit në fushatën për zgjedhjen e kryetarit, PD lëvizi dhe rrëzoi delfinin e Henrit, Ervin Salianji, duke zgjedhur Belind Këlliçin. Por megjithatë FRPD është i mbushur me uetistë, që presin në barkun e kalit të drunjtë urdhërin e sulmit.

Pas humbjes së PD-së, pikërisht kjo armatë ka nisur sulmin e paskrupullt ndaj kujtdo që nuk është me Bashën. Një sulm që s’kursen intimitetin, gruan, motrën, veset e huqet e kundërshtarit. Një ofensivë tipike provincialo – bolshevike e një grupi pa identitet politik kundër një shumice me emër e kontribute në PD.

Në këtë valë rishfaqet…Salianji! Edhe ky godet. Por ky ka betejën e lënë në mes me FRPD. Në këtë rrumpallë që sundon partinë, Çili dhe delfini i tij besojnë se u duhet luga për të ngrënë në detin e k(a)osit.

Ca kohë më parë Çili i stisi Bashës një skenar armiqësie me njëri – tjetrin. Bënë sikur u idhnuarn me shoshoqin. Kush pati dy pare mend as e hëngri as e mbllaçiti një përrallë të tillë. Çili -minjtë, pas “çarjes” Basha -Çili, u bënë më të fuqishëm në PD, as sa, ritheksojmë, sot ka një grup të rëndësishëm deputetësh uetistë brenda grupit parlamentar të PD -së.

Le t’i kthehemi kësaj gargarës (se garë nuk është) Basha – Selami. Kjo estradë amatore nuk fsheh dot thelbin. Kapjen e PD -së nga ca interesa jashtë PD -së. Padashje dy “rivalët” hynë në debatin Soros, ku të dy rezultojnë të lidhur me spekulantin George Soros. Tek kali që po ngordh po derdh etshëm vezët edhe Çili, me qëllim shtimin e rracës së tij aty dhe marrjen e plotë nën kontroll. Le të kujtojmë se debati “të rinj – të vjetër”, ” të korruptuarit që sollën humbjen në 2013″ e të tjera si këto, kanë 3 vjet që gjenerohen në PD personalisht nga Henri Çili dhe gjenerata e Çili – minjve që mbarëstron me zell ai aty.

Fundi i Sali Berishës, epokës së tij dhe njerëzve që kontribuan këto 27 vjet është i afërt dhe i zymtë nëse Çili dhe Çili-minjtë në PD ia dalin ta brrejnë deri 22 korrik. Kjo arradhë nuk ka as skrupuj, as parime, as pèrkatësi, ndaj është tejet e rrezikshme për demokratët, demokracinë dhe partinë që vazhdon të mbajë këtë emër. Berisha e di më mirë se ne. Ndaj, po s’lëvizi, do të thotë se tashmë e kanë ngrënë. Përndryshe, sot është dita e tij, për të shpëtuar në rradhë të parë emrin e të shkuarën e tij e njëkohësisht edhe të forcës që udhëhoqi për 23 vjet./parrena.com

Share: