Home KRYESORE AKU ka cënuar sigurinë kombëtare, por ajo është vetëm maja e ajsbergut

AKU ka cënuar sigurinë kombëtare, por ajo është vetëm maja e ajsbergut

Nga Dr. Enriko Ceko

Cilësia, siguria dhe garancia ushqimore në të tëra vendet e botës konsiderohet si një pjesë shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare. Institucioni kryesor në Republikën e Shqipërisë që sipas ligjit mbikqyr cilësinë, sigurinë dhe garancinë ushqimore është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU. Prej kohësh mjaft specialistë dhe qytetarë kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me cilësinë, sigurinë dhe garancinë ushqimore në vend dhe për punën e pamjaftueshme të AKU-së, por vetëm ditët e fundit është bërë e mundur që edhe zyrtarisht të pranohet se cilësia, siguria dhe garancia ushqimore në Shqipëri janë në nivele të papranueshme.

Nga burime zyrtare dhe burime të tjera të besueshme mësohet se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, sipas të cilit ky institucion, ndër më të rëndësishmit në vend jo vetëm për sektorin e ushqimit, por në përgjithësi në institucionet administratës publike shqiptare, ka probleme shumë të mëdha pothuajse në të tëra aspektet. Konkretisht, KLSH, në zbatim të programit të auditimit nr. 29/1, datë 10.04.2017 ka përfunduar auditimin e performancës “Siguria Ushqimore” në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), për periudhën Janar 2012 – Dhjetor 2016. Me Vendimin nr. 94, datë 31.07.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar edhe Raporti Përfundimtar i Auditimit (përfshirë edhe mundësitë për përmirësimin e gjendjes), u gjenden edhe rekomandimet t cilat u janë dërguaar AKU-së 29 masa organizative me shkresën nr. 29/6 prot., datë 07.08.2017 dhe Ministrisë së Bujqësisë 12 masa organizative me shkresën nr. 29/7 prot., datë 07.08.2017, me afat zbatimi 2017 dhe fillimvitin 2018.

Mësohet se nga ky auditim janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish, të cilat kanë cënuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike dhe sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve.

Konkretisht nga kontrolli ka rezultuar se ka dublime, shmangie dhe moseficencë me pasojë dobësim të strukturave që ndikojnë në mirëqenien socialekonomike të qytetarëve shqiptarë, të evidentuara në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin” i ndryshuar, ligji nr. 10465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ligjin nr. 7643, datë 2.12.1992 “Për inspektoratin sanitar shtetëror” i ndryshuar.

Gjithashtu, Ligji “Për Ushqimin” në vetvete ka raste që nuk përcakton qartë elementë të veçantë dhe të rëndësishëm të sigurisë ushqimore, siç është rasti i kërkesave për sistemin e vetëkontrollit në operatorët e biznesit ushqimor dhe nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave, pothuajse 9 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit për ushqimin, nuk ka nxjerrë aktet e domosdoshme nënligjore dhe qeveria nuk ka arritur objektivat e saj afat shkurtra të përcaktuara deri në fund të vitit 2015 për plotësimin e legjislacionit në të gjithë zinxhirin ushqimor në fushën e sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve, si dhe harmonizimin e tij me kuadrin rregullator evropian, për hartimin e akteve nënligjore, ndërsa Ministria e Bujqësisë nuk ka nxjerrë akoma aktet nënligjore sipas kërkesave të ligjit për ushqimin.

Nga Raporti i KLSH mësohet se AKU zhvillon aktivitetin e vet pa pasur të miratuar Rregulloren e brendshme që nga fillimi i veprimtarisë së tij në maj 2010, në kundërshtim me ligjin për ushqimin dhe VKM për organizmin dhe funksionimin e saj. AKU e ka zhvilluar aktivitetin e vet pa u mbikëqyrur nga bordi për çështje shumë të rëndësishme si: miratimi i objektivat strategjikë dhe planet e punës, miratimi i projekt-buxhetit, analiza e raportit vjetor të vlerësimit të veprimtarisë, miratimi i kritereve të punësimit apo dhe projektplanin e menaxhimit të krizave si dhe me raportim të kufizuar Ministrit të Bujqësisë, si rezultat i mosfunksionimit të bordit.

Nga të tërë drejtorët e përgjithshëm të AKU, vetëm njëri prej tyre, drejtori i parë i saj ka qenë specialist i vërtetë i fushës, ndërsa të tjerët kanë qenë me mangësi në trainime e kualifikime dhe me mangësi në përvojën e punës në administratën publike.

Por, ajo që është më skandalozja është fakti se AKU nuk disponon të dhëna mbi listën e operatorëve të biznesit ushqimor, të regjistruara me TVSH, të cilët kanë të detyrueshëm licencimin, duke lejuar zhvillimin e aktivitetit të këtyre subjekteve jo në përputhje me ligjin për ushqimin dhe për pasojë cënimin e sigurisë ushqimore në vend.

AKU nuk ka plotësuar vendet e lira të punës (shkurt 2014 – prill 2016 21 pozicione pune të lira dhe 12 punonjës me emërim të përkohshëm), duke sjellë dëmtim të performancës së institucionit. Gjithashtu, në AKU ka pasur lëvizje të shpeshta të drejtorëve të drejtorive dhe përgjegjësve të sektorëve në Drejtorinë e përgjithshme, si dhe drejtorëve rajonalë (kryesisht pas vitit 2013).

Në AKU gjatë kësaj periudhe ka patur largime nga puna, të cilat kulmojnë në vitin 2014 me ikjen e afër 33 % të të gjithë stafit dhe specialistëve (gjithsej 137 persona) dhe bashkë me të dhe të kualiteteve të trajnuara, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve pa shkaqe të përligjura, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit nga pagesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mbi 78 milion lekë për të gjithë periudhën e audituar 2012-2016.
Sipas Raportit të KLSH, në strukturën dhe organikën aktuale, AKU ka shpërpjesëtime të konsiderueshme të numrit të inspektorëve midis rajoneve dhe sektorëve brenda tyre lidhur me ngarkesën e subjekteve për inspektim.

AKU nuk ushtron kontroll në subjektet ushqimore sipas përcaktimit të riskut dhe kjo ka bërë që gjatë vitit 2015 në rethet Gjirokastër, Kukës Berat e Dibër të jenë inspektuar vetëm 25 – 31 % e subjekteve në totale, ndërsa në Tiranë dhe në Durrës vetëm 9 – 10 % e tyre, duke sjellë një rrezik shumë të madh për sigurinë ushqimore dhe për më tej edhe për sigurinë kombëtare.
Në AKU, në rrethet Durrës, Korçë, Gjirokastër, Kukës dhe Vlorë ka vetëm 6 zooteknikë, që u duhet të inspektojnë mishin, gjënë e gjallë dhe produktet e tjera me origjinë shtazore dhe këtë punë në doganat e tjera të vendit si në Hanin e Hotit, Durrës, Vlorë e Kakavijë e bëjnë mësuesit e kimisë dhe biokimisë.

Sipas Raportit të KLSH, në doganën e Bllatës (Dibër), inspektori veterinar ka kontrolluar për vitin 2016 vetëm 4 praktika të importeve të produkteve me origjinë shtazore. Në Gjirokastër janë 2 inspektorë për produktet me origjinë joshtazore, kur për numrin e praktikave që hyjnë në Kakavijë duhet të jetë dyfishi i tyre, si dhe janë 3 veterinerë që kontrollojnë gjysmën e praktikave të mallrave me origjinë joshtazore dhe e njëjta gjë konstatohet dhe për pikat e kalimit kufitar të Morinit, Qafë Thanë dhe Kapshticë.

Nga të dhënat e KLSH del se rreth 1/3 e produkteve ushqimore të hyra në Shqipëri nuk janë monitoruar, duke rrezikuar sigurinë ushqimore në vend.

Në Shqipëri, në të tëra pikat doganore, mungon infrastruktura e domosdoshme për të garantuar siguri dhe besueshmëri në rezultatet e analizave të mostrave që merren nga produktet ushqimore të importit sepse mungojnë pajisjet e nevojshme të inspektorit për marrjen, mbajtjen dhe transportimin e mostrës dhe mungojnë ambientet e përshtatshme për mbajtjen e mallit të bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizave.

Nga Raporti i KLSH rezulton se punonjësit e AKU-së kanë pasur trajnime sporadike si dhe kanë munguar kryesisht dhe veçanërisht temat për inspektimin dhe inspektorët nuk i janë nënshtruar testimit profesional fillestar. Inspektorëve të AKU në rajone ju mungojnë mjetet e transportit, pajiset e domosdoshme për ruajtjen dhe transportimin e mostrave, si dhe mbështetja me analiza laboratorike për çdo rajon, duke ulur ndjeshëm efektivitetin dhe pritshmërinë e veprimtarisë inspektuese në përmirësimin e sigurisë ushqimore.

AKU në qendër nuk ka patur bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim të veprimtarisë me drejtoritë rajonale për çështjen e gjobave, pasi rezultojnë diferenca te theksuara në numrin dhe vlerën e gjobave dhe nga ana tjetër, edhe pse numri i gjobave është rritur pothuajse tre herë, vlera e tyre as nuk është dyfishuar, gjë që tregon se inspektorët janë të prirur drejt një kompromisi me subjektet në dëm të zbatimit të ligjit për ushqimin dhe për pasojë dhe në sigurinë ushqimore nga vendosja e gjobave minimale.

Komisioni i ankimit në AKU nuk ka të miratuar metodikën apo parime të tjera shtesë, mbi të cilat duhet të mbështetet inspektori për përcaktimin e vlerës së gjobës, për rastet kur gjobat janë në vlera minimale deri në ato maksimale dhe AKU nuk ka bërë publik komisionin e ankimit me mjete të përshtatshme siç kërkohet ligjërisht, duke e kthyer këtë në një veprimtari jo transparente dhe subjektive, e cila ndikon ndjeshëm për rritjen e nivelit të sigurisë ushqimore.

Nga sa më lart del se në të tërë hierarkinë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nga kreu e deri në fund ka punonjës të paaftë, të patrainuar, të paedukuar, të pashkolluar dhe të korruptuar, por ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se kur kjo ndodh në një nga institucionet më të rëndësishme të administratës publike dhe në një nga autoritetet kombëtare më të rëndësishme në vend, kuptohet fare mirë se si është gjendja në institucionet e tjera dhe në administratën publike në përgjithësi në Shqipëri.

Ngjarja mjaft e rëndë për gjendjen skandaloze të cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore në Shqipëri, që rezulton nga Raporti i KLSH gjeti pasqyrim në mediat e ndryshme audiovizive dhe të shkruara në vend por vetëm pak prej tyre e pasqyruan me vërtetësi atë dhe vetëm pak prej tyre i kushtuan hapsirën e nevojshme.

Përmend këtu Gazetën MAPO që pasqyronte me detaje Raportin e KLSH dhe TV Ora News, Channel One, Vizion +, Perqasje.com etj, që i kushtuan vëmendjen e duhur kësaj ngjarjeje që përbën vërtet një lajm, të cilit duhet t’i shikojmë edhe anën pozitive. KLSH ka bërë një punë mjaft serioze dhe profesionale, duke treguar në sytë e publikut gjendjen skandaloze të institucioneve dhe të administratës publike në Shqipëri.

Raporti i KLSH-së për cilësinë, sigurinë dhe garancinë ushqimore në vend dhe për punën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është vetëm maja e ajsbergut. Poshtë tij gëlojnë miliona e miliarda euro korrupsion, mashtrime ekonomike, skandale financiare, vjedhje monstruoze, dëmtime të pronës publike dhe të interesave të qytetarëve, që në fund të fundit kanë të bëjnë me interesat dhe çështjen e sigurisë kombëtare.

Gjendja skandaloze në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit nuk tregon asgjë tjetër veçse gjendjen dhe nivelin mendor dhe intelektual të pjesës më të madhe të drejtuesve aktualë të administratës publike, drejtuesve të bizneseve dhe të klasës politike shqiptare, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre vazhdojnë të cënojnë në mënyrë shumë serioze sigurinë kombëtare dhe që po e çojnë Shqipërinë drejt greminës, kaosit dhe anarkisë.

Share: