I kushtohet Papës Françesku, përkujtimi i mrekullisë së borës, në Bazilikën romake të Zojës së Madhe. Është e 34-ta herë që në sheshin para Bazilikës papnore të Zojës së Madhe në Romë, do të përkujtohet sot “Mrekullia e dëborës”, rënia e dëborës më 5 gusht 358, me të cilën shën Maria kërkoi të ngrihej një kishë pikërisht aty, ku do të binin flokët e bardhë, në mesin e vapës së verës.
Në orën 10.00, do të kremtohet mesha e Solemnitetit të Kushtimit të Bazilikës, kryesuar nga kardinali Stabislaw Rylko. Në orën 17.00, kremtimi i Mbrëmësores nga kryeipeshkvi titullar i Valeries, imzot Francesco Canalini.
Me këngën e Madhërimit të Zotit, brenda Bazilikës, do të rievokohet “Mrekullia e dëborës”. Ndërsa në orën 21, siç bëhet tashmë çdo vit, do të bien mbi të pranishmit lule të bardha, simbol i dëborës që çoi Zoja në këtë vend. Përkujtimi, ideuar në vitin 1983 nga arkitekti Cesare Esposito, këtë vit i kushtohet Papës Françesku. Solemniteti paraprihet nga tri ditë lutje, që kanë filluar më 2 gusht e përfundojnë sot.
Azilika e Shën Marisë së Madhe është shenjtërorja më e lashtë mariane e Perëndimit. U ndërtua nga Papa Siksti III pak pas Koncilit të Efesit të vitit 431, në të cilin Maria u shpall solemnisht Nëna e Zotit. Sipas traditës, Virgjëra Hyjnore iu duk në ëndërr Papës Liberi dhe i kërkoi të ndërtohej një kishë aty ku do të reshte borë.
E kështu ndodhi më 5 gusht të vitit 358 në zonën e Eskuilinit, ku sot ngrihet Bazilika, e cila është e njohur jo vetëm për lashtësinë, por edhe për bukuritë e saj artistike. Këtu shkon Papa Françesku për t’u lutur, sa herë që i duhet të niset për shtegtim e po këtu kthehet për ta falenderuar Zojën pas udhëtimit.
Figura e Zojës “Salus Populi Romani”, para së cilës gjunjëzohet në lutje Papa Françesku, është shumë e dashur për jezuitët e për papët. Shën Injaci, themeluesi i Urdhërit të jezuitëve kremtoi aty meshën e tij të parë. Papa Piu XII shkoi para saj për ta nderuar kur shpalli dogmën e Zojës së Ngjitur në Qiell, më 1950.
Papa Gjon Pali II ua besoi të rinjve në Ditën Botërore e Rinisë 2000, së bashku me kryqin, “që të jetë e qartë gjithnjë se Maria është Nënë e fuqishme, e cila çon te Krishti”. Shenjti i ardhshëm polak, që nga fillimi i papnisë, deshi një llambë gjithnjë të ndezur pranë fugures së Zojës, dëshmi e devocionit të tij të madh. /360grade.al