Home KRYESORE Demalia, Sigurimi i Shtetit dhe dosjet e munxosura

Demalia, Sigurimi i Shtetit dhe dosjet e munxosura

Nga Cerçiz Loloçi

Ilir Demalia i është përgjigjur sërish ish-drejtorit të Arkivave të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, por nuk ka thënë asgjë për babain e vet, Binak Haxhia Demalia, Oficer i Sigurimit të Shtetit, (sektori i Kundërzbulimit), në vitet 1950-1970.

Binak Haxhia Damaliaj kishte mbaruar studimet e larta në San Petersburg dhe ka punuar shef sektori në Tregtinë e Jashtme deri në 7 mars 1975 kur u arrestua dhe u dënua me 4 vjet ( 3 vjet për “Agjitacion e Propagandë” dhe 1 vit “Për shpërdorim detyre”). Për më tepër shiko linkun ku Demalia rrëfehet për të atin (http://balkanweb.com/site/ilir-demaliaj-arrestimi-i-tim-eti-pas-bisedes-me-dy-kosovaret-ne-hotel-dajti/)

Natyrisht se për punën e të atit, s’mund të jetë përgjegjës askush tjetër në moshë madhore, pra mbi 18 vjeç, megjithëse në rastin e familjes Demalia, pas dënimit të kryefamiljarit kanë vuajtur edhe gjithë pjestarët e tjerë të familjes, përfshi edhe vetë Ilirin.

Ka mundësi që edhe arrestimi i Binakut, për ‘shoqërimin e vetëm të dy shqiptarëve nga Kosova’, të ketë qenë një gjyq i montuar, por më sakt për këtë mund të flasë publikimi i plotë i dosjes, që mundësohet edhe nga Autoriteti përkatës.

Nga ana tjetër janë plot 15-20 vjet veprimtari të Binak Haxhia Demalia në Sigurimin e Shtetit, madje në një sektor shumë delikat dhe shumë të besueshëm, kundërzbulim, çka nuk mund të shkonte kushdo dhe vështirë të mos përziheshe në punët kriminale që bënte ‘arma e dashur’ e diktaturës së proletariatit.

Shoqëria shqiptare do të përfitonte mjaft nëse hapen dosjet e kësaj periudhe, të cilat do të ndriçoninin më mirë atë kohë të periudhës diktatoriale, por edhe do të shërbenin si mësim për pushtetet e sotme dhe të ardhme, pavarësisht se janë sisteme diametralisht të kundërta dhe kanë tjetër qasje ndaj jetës njerëzore.

Sipas një prej themeluesve të Sigurimit të Shtetit, Vaskë Kolecit, në letërkëmbimin me Enver Hoxhën më 26.11.1948 thuhet tekstualisht se “organet e Sigurimit ishin organe kriminale, të arrestuarit trajtohen keq, kundër tyre ishin përdorur torturat si rrahje me dru, kamxhik, litar të lagur, telefon, jelek, lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë, përdorimi i pincave, etj”.

Duhet thënë se pas viteve nëntëdhjetë janë botuar disa monografi për raportet e shkrimtarit me diktaturën, akoma më sakt për raportet e Kadaresë me regjimin që lamë pas. Të gjitha së bashku apo edhe ato që mund të botohen në të ardhmen as e ulin dhe as e ngrenë krijimtarinë e Kadaresë, të njohur botërisht në mbi 50 gjuhë të huaja, por tregojnë gjithsesi për marrëdhëniet tepër të vështira të krijuesit nën diktaturë.

Ndërkaq duhet shtuar se madhorë të Sigurimit të Shtetit, pinjollë të tyre apo të emërtesës së lartë, kanë shpifur sa kanë mundur, në mënyrë konseguente, të pandërprerë duke dashur të denigrojnë figura që janë shumë përfaqësuese për kombin dhe shtetin shqiptar. Islamikë, fundamentalistë, ish-drejtues të lartë të emërtesës komuniste që u ra “kalaja buzë Adriatikut” rrëmbyen kartën e nacionalizmit dhe u bënë flamurtarë të gjërave të paqëna.

Kadaresë i tundet kohë pas kohe dy letra të vetme në Komitetin Qëndror dhe qëllimisht lihet në hije ditari sekret i Enver Hoxhës që shkruante në 20 tetor 1975 “ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të superstrukturës dhe e quan një blof të madh që bëhet me qëllim për të mbuluar ‘kalbëzimin dhe burokracinë’. Me keqardhje ky poet korbash thotë se “Topa, himne e valle ka kundër armiqve’ por ‘kundër burokracisë s’ka konsuj’. Me fjalë të tjera s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan ‘konsuj’ ose ‘prokonsuj’ si në Republikën e Romës antike, që u rrënua. Kështu do të rrënohet për Ismail Kadarenë edhe socializmi tek ne dhe këtë predikim e bën në vargjet e pjesës nr. 3. Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë ‘duart të lyera deri në bërryl me gjak’, ‘rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj. etj’. Të gjithë këta përbindësha të veshur ‘si pashallarë të kuq me dekorata etj, kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe çojnë trupin e revolucionit në varr’”…

Share: