Në fillim të viteve ‘80, specialistëve të industrisë ushtarake i u vu detyra që të zgjidhnin problemet urgjente të shkaktuara nga fakti që shtetit shqiptar iu prenë kreditë dhe ndihmat ushtarake që merrte nga Kina.
Inxhinieri Ushtarak Dilaver Dauti ka kryer funksionet e Shefit te Grupit te Projektimeve dhe Prodhimeve te Municioneve të Aviacionit Luftarak te Mig 19 dhe 21
Në këtë rrëfim për “Shekullin” ai hedh dritë mbi detajet e një projekti secret ushtarak të asaj periudhe kur shteti u vuri detyrë një grupi të vogël inxhinierësh të besuar ushtarakë zhvillimin e industrisë së armatimit në kushte pavarësie të plotë.
Djali i Enver Hoxhës në krye të projektit
Për këtë u krijua fillimisht Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Industriale Ushtarake në Tiranë. Ky institut u drejtua nga vetë djali i Enver Hoxhës, Ilir Hoxha, Dr. i Shkencave Mekanike, titull i mbrojtur në Suedi.
“Mund të merret me shumë kuptime, por ajo që di unë është që ai ishte në atë periudhë një nga inxhinierët më të aftë të vëndit. Ndoqi vazhdimisht me përparësi çdo ecuri të punës shkencore dhe njohuritë e tij ishin ndihmë e madhe në kapërcimin e problemeve teknike që na dilnin gjatë zbatimit të projekteve” – kujton ing.Dauti
U shfrytëzuan të gjitha kapacietet e industrisë mekanike dhe elektrike të vëndit. Dhe e pabesueshmja ndodhi: U arrit që të prodhoheshin municione nga më të thjeshtat deri tek ato më të komplikuarat e avionëve Mig 19 dhe Mig 21.
Sfida më e fortë ishte projektimi dhe prodhimi i “raketës shqiptare për Mig-un” .
Spiunazhi na sillte informacionet sekrete
Ka pasur shumë vështirësi. “I kapërcyem hap pas hapi. Vetëm për të gjetur lenden djegëse që shkatërronte tanket është punuar rreth 3 vite, – kujton Dilaveri, duke shtuar: “Zbulimi i shtetit na vinte në dispozicion informacion për çdo kërkesë që ne i bënim për të dhëna sekrete lidhur me teknologjinë e armatimit”. Këto të dhëna vinin nga Rusia, Kina dhe Vietnami.
“Ishin shumë të zotë për ta siguruar këtë informacion. Një kërkesë të thjeshtë për literaturë teknike shkencore që mund të bënim ne, zbulimi na e vinte në dispozicion maksimumi 15 ditë pas kërkesës, – thotë ai me pas.
Grupi i Studimit dhe Projektimit të mjeteve ushtarake përbëhej nga kuadro nga më të aftë të asaj periudhe. Në fillim e kryesoi inxhinieri ushtarak Gëzim Cane, i cili më pas u bë kryeinxhinieri i Kombintit Industrial të Policanit.
Në vitin 1992 Cane u bë deputet dhe pas largimit si drejtues i Kombinatit të Policanit, drejtimin e grupit studimor dhe prodhimit e mori pikërisht personazhi i këtij shkrimi, inxhinieri durrsak Dilaver Dautaj.
Projekti: Prodhim rakete dhe bomba 250 kg
Projekti parashikoi prodhimin e bombave 250 kg të aviacionit si dhe të raketës ajër -ajër dhe ajër –tokë e cila duhej të shponte blindin e tankut.
Prodhimi i raketave qe detyra më e vështirë. Ajo përmbante disa lloje barutesh, si shkrirësin e blindit, barutin e motorit reaktiv si dhe barutet që finalizonin punën e saj.
“Ishin probleme tepër të vështira për t’u zgjidhur, pasi influenconin direkt në efikasitetin dhe balistiken e raketës e cila do të lëshohej nga aparaturat e avionit luftarak. Devijimi sado i vogel i balistikës e nxirrte jashtë funksionit vetë avionin, – kujton Dilaveri.
Vështirësia shtohej edhe prej faktit që për shkak te ruajtjes së sekretit ushtarak nuk mund të diskutoje hapur me kolegët e punës. Të debatoje qoftë dhe për probleme teknike me koleget ishte shumë e vështirë.
Eksperimenti doli me sukses të plotë, por…
Rezultatet eksperimentale ishin të shkëlqyera. “Pasi u bë prova reale në poligone u shtrua detyra e re e projektimit të teknologjisë së prodhimit në seri si dhe projektimi i uzinës së prodhimit që do ta realizonte këtë.
U bë projekti dhe pritej të materializohej. Po kjo nuk u arrit. Projekti secret ushtarak u ndërpre pas vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985.
“Ndoshta ishte dobësimi i ekonomisë në vitet 84 – 85 dhe kërkesat e tjera më immediate. Por u njoftuam që ky projekt të arkivohej për tu lenë për nje kohë më të përshtatëshme” – thotë Dilaveri dhe shton me keqardhje:
“U arrit që të prodhoheshin rreth 60 copë raketa eksperimentale dhe më pas gjithçka u ndërpre. Gjithçka nga keto eksperimente ka mbetur edhe sot e kësaj dite në pronësi arkivave të shtetit”.
Testimi i raketës në 1983 në Tërpan
Raketat jo vetëm u prodhuan, por edhe u testuan. “Në 1983 u bënë provat e para me raketat e Mig-ëve në zonën e Tërpanit në Berat, – zbulon pak nga sekreti ushtarak, inxhinier Dauti.
“Pasi arritem ti prodhojme tërësisht duke zgjidhur probleme teknologjike të paimagjinueshme për kohën, vendosëm që ti provojmë në qitje luftarake të rregullta. Rezultatet përfundimtare të eksperimentit ishin të plota.
Produkti luftarak i raketave për avionët Mig, i prodhuar në Shqipëri, garantonte të gjitha cilësitë e produktit të importit” .
Dilaveri kujton me nostalgji se si e festoi ketë arritje ekipi inxhinierëve dhe disa nga detajet:
“Në testim mori pjesë Komandanti i Aviacionit Bardhyl Taci dhe shefi i Armatimit te Aviacionit të asaj periudhe Perikli Teta. Në uzinën e prodhimit u moren 5 copë raketa ajër – tokë dhe u derguan në aeroportin e Kucovës ku u bë edhe armatosja e Mig-ut të eksperimetit.
Provat u bënë me Mig – 19 për arësye se ky tip ishte më i ngadaltë në fluturim dhe më i manovrueshëm në terren malor.
Kjo u bë edhe për të kursyer karburant, pasi Mig -21 ndodheshin në aeroportin e Gjadrit dhe sasia e karburantit që konsumonte një avion i atillë qe e madhe. Poligoni ishte në Tërpan në Qafen e Kumbullës. Atje instaluam një tank-maket. Kur u godit me të gjithë sasinë e raketave që hodhi MIG-u 19 i proves, entuziazmi ynë nuk kishte fund…”
Testimi i super-bombave 250 kg në Vjosë
Paralelisht më raketën ishte punuar edhe me prodhimin e bombave të aviacionit. “Kishin nje peshë rreth 250 kg njëra MIG-u armatoset me 2 copë të tilla.
Prova e parë me to ishte bërë që në 1982 në grykederdhjen e lumit Vjosa” – sjell kujtimet e tij inxhinieri ushtarak Dauti.
Testimin e këtyre bombave me peshë gjigande e drejtoi një nga ushatrakët më të njohur në qarqet e kohës, piloti Bardhyl Taçi. Dilaveri kujton se si ai iu drejtua me pyetjen: – “Inxhinier Dilaveri, a do ta copëtojnë bombat tona bunkerin e Menduh Backës? Ta marrim në telefon e t’i themi se bombat tona t’i thërmuan bunkerët e tu se nuk bëjnë”
Menduh Backa ishte Zv.Minister i Mbrojtjes në atë periudhë. “Ata ishin miq me njëri tjetrin dhe Bardhyli bënte shaka, – thotë Dilaveri dhe shton: “Unë iu përgjigja kështu: Nëse do t’i biesh në kokë do marrësh rezultatin që kërkon”.
Ai mori radion dhe i u drejtua aviatorit që të zhvillonte manovrën e bombardimit të bunkerit. “Si pilot me mjaft përvojë që ishte ai e drejtoi avionin nga toka.
E megjithatë, bombat u hodhen të dyja, por nuk ranë mbi bunker. Natyrisht që bunkeri ishte një objektiv i vogel. Bombat 250 kilogramëshe ranë rreth 50 metër më larg, por shpërthimi i tyre qe aq i madh sa bunkeri u shkul nga vëndi disa cm”.
Ishte korriku i vitit 1982 kur u bë ky bombardim me bomba të prodhimit shqiptar. Gropat që hapnin ato atje ku godisnin ishin mbi 2 metër thellësi me një rreze krateri prej 25 metrash. Ishte një Shqipëri tjetër…! /njekomb.com/