Home KRYESORE Dojaka pas kerkeses se Hollandes per vizat: Ndalohet qarkullimi me “duar në...

Dojaka pas kerkeses se Hollandes per vizat: Ndalohet qarkullimi me “duar në xhepa”!!!

Nga Artur Dojaka*

Një batutë nga filmi ‘I teti në bronx’ ishte gjëja e parë që më shkoi në mend kur dëgjova lajmin e beftë nga Hollanda.

Miqtë hollandezë propozojnë pezullimin e vizave Schengen për të GJITHË qytetarët e Republikës së Shqipërisë???!
Me pak fjalë kanë luajtur mendsh…?!

Ky “veprim” i njëanshëm nga ana e hollandezëve vjen sipas tyre, mbasi disa banda kriminale me prejardhje shqiptare (kombësi/ shtetësi?) po fuqizohen së tepërmi në aktivitetet e shpërndarjes së drogës, trafikimit të qënieve njerëzore si dhe pastrimit të parave që rrjedhin nga këto aktivitete.

Së pari, aktivitetet e lartpërmendura janë të ndaluara thuajse në tërë botën, veçmas Hollandës ku lejohen me ligj, qoftë edhe pjesërisht. Në 18 Tetor 1976 Hollanda miratoi ligjin e liberalizimit te drogës.

Që nga ajo ditë jane hollandezët ata që i krijojnë probleme të tjerëve, duke nisur me fqinjët e afërm si Gjermania, Franca, shtetet e Beneluksit dhe mbarë Europa!

Jo vetëm fqinjët ama… , se falë ekspertizës 41 vjeçare hollandeze po gjelbërojnë edhe kodrat e malet tona, mbasi ështe e ditur publikisht që farat, teknologjia e mbjelljes dhe përpunimit të kanabisit në vendin tonë importohen nga Hollanda.

Hollanda luan një rol tejet të rëndësishëm edhe në trafikun e drogave të rënda.

Vetëm në portin e Roterdamit transferohen çdo ditë më shumë se 10,000 kontenierë nga e gjithë bota dhe si rrjedhojë është porta kryesore për aktivitetin kriminal të trafikimit.

Është e qartë për këdo se nëpërmjet këtyre aktiviteteve kriminale (pjesërisht të lejuara me ligj në Hollandë) arrihen përfitime marramendëse, të cilat me sa duket ”deri dje” kanë mbuluar edhe telashet e hapura nga to… !!

Tashmë hollandezet ankohen se në aktivitetet kriminale (pjesërisht të lejuara nga ligji në Hollandë) janë përfshirë fuqimisht banda kriminale me prejardhje nga Shqipëria (kombësi/ shtetësi?).

Po ne, ç’duhet të themi për këto aktivitete të ndaluara rreptësisht nga ligji dhe të dënuara në bazë të kodit penal të Republikës së Shqipërisë?

Mendoj se jemi në kohë që dikush (jo vetëm politika) të qartësojë qytetarët shqiptarë për rreziqet që përmban rruga drejt BE-së. Një vend i kanabizuar si Hollanda, është pjestar i BE-së dhe jo vetëm që nuk i ndalon, por i lejon me ligj disa aktivitete kriminale të cilat janë rreptësisht të ndaluara nga ligji i Republikës së Shqipërisë.

Megjithatë, qartësisht është i tepërt “morali hollandez” nën moton: ‘bëni si them unë, mos bëni si bëj unë’!!!

Ju takon institucioneve ligjzbatuese të Hollandës që në vendin e tyre ti dalin vetë për zot situatës së krijuar nga ata vetë, për arsyet që i dinë sërisht vetëm ata.

Është jo vetëm i turpshëm por edhe i dënueshëm, intimidimi i një populli të tërë siç janë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, për çështje që i takojnë kryekëput insitucioneve hollandeze të mbajnë përgjegjësi.

Së fundmi, nuk mund të lë pa përmendur faktin që hollandezët janë një popull cosmopolitan, thjeshtë të mrekullueshëm.

Andaj në këtë shkrim, i detyrohem të paktën atyre që ta mbyll me një thënie që hollandezët e kanë shumë për zemër dhe që në këtë rast vlen për institucionet ligjzbatuese të Hollandës:

“Doe maar gewoon, dan doe je al gek genoeg” (sillu normal, kjo është mjaftueshëm një çmenduri më vehte).

Artur Dojaka

Share: