Home KRYESORE Fitoret e Bashës, si të Pirros/ Nga Julian Deda

Fitoret e Bashës, si të Pirros/ Nga Julian Deda

Nga Julian Deda

Katër vite më parë PD humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë, si rezultat lideri historik i kësaj partie Dr. Sali Berisha dha dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha funksionet tij, duke ia lënë stafetën pasardhësit të tij Lulzim Bashës. Për hir të vërtetës, Basha nuk e kishte fare të lehte t’i mbante të dy kungujt nën një sqetull, pra edhe të drejtonte partinë edhe te çonte para projektet e Bashkisë së Tiranës. Aq e vështirë ishte, sa e detyroi atë të mos bënte siç duhet as njërën dhe as tjetrën.

Gjithsesi ajo që na shqetëson sot është opozita si mjet për të frenuar skandalet politike të Qeverisë Rama 2, që ka shumë mundësi të jenë 100 fish më të shumta në numër se ato të Qeverisë Rama 1. Demokratëve me teser dhe jo vetëm, i intereson e ardhmja e PD-së, ndërsa popullit i intereson opozita, e cila duhet të jetë e fortë dhe e pakompromis ndaj së keqes, sepse një shtet pa opozitë është praktikisht në paradhomën e një diktature të mirëfilltë.

Por le të flasim pak për dy vitet e vetme të Lulzim Bashës në opozitë, 2015-2017, çfarë ndodhi në këto vite? Cili ka qenë aksioni opozitar? Kush ishin njerëzit që u përballën fjalë për fjalë me pushtetin? Sa ndikuan ata në popull? Ai ishte PD mjaftueshëm e besueshme për votuesit? A kishte opozita një plan real për të ardhur në pushtet? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i dini të gjithë, por unë dua të ndalem në 100 ditët e fundit të opozitës.

Në 100 ditë grafiku i veprimeve ishte tepër intensiv. Protesta, çadra, erdhën simpatizantët nga e gjithë Shqipëria, fjalime, denoncime dhe dëshirë për të rritur frymën. Ajo që u pa dukshëm ishte, një “projekt” i padukshëm për përforcimin e figurës së liderit të ri, i cili për hir të së vërtetës, pikërisht në ditët e çadrës u konsolidua përfundimisht. Pra Lul Basha u konfirmua si lider i PD dhe opozitës. Deri këtu çdo gjë në rregull. Vazhdimin e dini dhe nuk kam ndërmend t’ju mërzis.

Lulzim Basha i ka cilësuar si fitore të gjitha zhvillimet politike në kuadër të aksionit opozitar deri më sot, por duke harruar një detaj të vogël. PD i ka humbur zgjedhjet e 25 Qershorit. Ato padiskutim që nuk janë një proces model, por Edi Rama me djallëzi politike e di mirë dhe e tha edhe para zgjedhjeve që me krijimin e qeverisë teknike pas 25 Qershorit nuk kishte më fjalë. Dhe koha i dha të drejtë. Përveç nëpërdhëmbjeve anonime për blerje votash nga zyrtarë të opozitës, asgjë konkrete dhe reale deri më tani nuk është bërë nga opozita për të denoncuar fenomenin. Shpresa e fundit është raporti teknik i ministrave mekanikë. Ata ishin aty për ta parandaluar një fenomen të tillë, por rezultati i punës së tyre mesa duket do të kulmojë vetëm me një raport sesi ata dështuan ta pengonin këtë masakradë zgjedhore. Pra në dhjetëra fitore të pretenduara nga Basha, ato qartazi sot janë si të Pirros, humbja është e madhe. E madhe sa një disfatë historike që PD nuk e ka njohur kurrë as në ditët e veta më të errëta, ato të vitit të mbrapshtë 97.

Duke patur parasysh të gjitha veprimet që përmenda më sipër, gjithë këtë sakrificë politike, lind natyrshëm pyetja: “Si përfundim, çfarë fitoi PD pas gjithë kësaj?” Unë nuk arrij të gjej asnjë benefit, nëse gjeni ju, bujrum! Unë nuk shoh asnjë të mirë deri tani, vetëm përçarje, llafe, sharje, hatërmbetje, paaftësi dhe mbi të gjitha gafa të njëpasnjëshme për shkak të paqartësisë së veprimit në grup.

Ndërsa Edi Rama prej 2013-ës, po kalon nga “fitorja në fitoreje” me skemat e tij ultrapolitike, PD rend përmes “fitoreve” të Bashës nga humbja në humbje. Nëse 25 Qershori i 2017 është zyrtarisht një humbje e madhe për PD-në, zgjedhjet lokale të 2019-ës, me këtë trend duket se nuk do të bëjnë ndryshimin për PD-në. Deri tani fiton vetëm kryetari, ndërsa rrugës firojnë votat e demokratëve. Strategjia politike e PD-së lipset ti japë përgjigje pyetjes së mësipërme jo për atë që lamë pas, por për atë që na vjen sot e në vazhdim. Por një gjë demokratët jam i sigurtë që nuk do duan ta fitojnë kurrë, ata nuk do të duan kurrë një fitore si ajo e Bashës për përballë Edit…, Jo Ramës. Me atë lloj fitoreje ata nuk do të identifikohen kurrë, dhe nëse ajo mund të quhet fitore, ata do të luten që PD-ja më mirë të mos fitojë kurrë.

Share: