Qeveria Rama 2 pritet të dekretohet së shpejti nga presidenti i Republikës Ilir Meta, ndërkohë qe përfaqësuesit e opozitës kanë nisur tashme lëvizjet për hartimin e një platforme dinamike, e cila do të diktojë aksionin politik.
Duket se Reforma zgjedhore, me tërësinë e elementëve të saj, do të jetë kauza kryesore e Partisë Demokratike gjatë kësaj legjislature parlamentare, me se pari numërimi dhe votimi elektronik dhe duket edhe votimi i detyrueshëm.
Aksioni politik i PD do të nisë me një debat dhe polemikë të gjerë për legjitimitetin e zgjedhjeve, bazuar në raportin e ministrave teknikë.
Partia kryesore në opozitë do të kërkojë dekriminalizimin e politikës dhe administratës, përmes zbatimit dhe ndoshta edhe amendimit të ligjit të dekriminalizimit.
Karta antikomuniste do të jetë gjithashtu pjesë e aksionit politik.
Rikthimi i çështjeve të nxehta, të cilat opozita i konsideron si afera korruptive, do të jenë pjesë e agjendës politike të Partisë Demokratike. Konkretisht, PD pritet t’i rikthehet çështjes CEZ, serverit të tatimeve etj. Denoncimi i atyre që Partia Demokratike i konsideron gjysmëreforma do të jenë gjithashtu në fokus të PD.
Kultivimi dhe trafikimi i bimëve narkotike do të jetë sërish pjesë e rëndësishme e aksionit të opozitës, e cila pretendon se paratë e drogës janë përdorur për të deformuar zgjedhjet.