Një pjesë janë larguar, të tjerë e kanë zbutur qëndrimin, por bashkëpunëtorë të Donald Trumpit që nuk ndajnë të njëjtat mendime me presidentin amerikan vazhdojnë të dalin, e më i fundit i tyre është as më shumë e as më pak sesa vet Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.
Kreu i diplomacisë amerikane u distancua nga përgjigjja e numrit një të Shtëpisë së Bardhë ndaj dhunës në Charlottesville. Komenti i tij për “Fox News”, kur moderatori e pyeti mbi promovimin e vlerave amerikane nëpër botë, e tregoi qartë një gjë të tillë.
“Ne përfaqësojmë popullin amerikan, angazhimin e tij ndaj lirisë dhe trajtimit të njëjtë të njerëzve në mbarë globin, e ky mesazh nuk ka ndryshuar. Nuk besoj se dikush e vë në dyshim angazhimin e administratës amerikane, apo të agjencive qeveritare, që i avancojnë dhe i mbrojnë këto vlera”, tha Rex Tillerson.
Moderatori: Edhe vlerat e presidentit?
Tillerson: Presidenti flet për vete Chris.
Komenti i Tillerson ishte në përgjigje të pyetjeve të ngritura nga një komision i OKB-së mbi racizmin dhe krimet e urrejtjes, sipas të cilit, udhëheqësit amerikanë nuk e kanë dënuar me aq forcë sa duhet supremacinë e bardhë.
Trump u kritikua gjerësisht për deklaratat e tij pas ngjarjes në Charlotesville, kur tha se të dyja palët, aktivistë konservatorë e protestues të majtë, kishin pjesën e tyre të përgjegjësisë në përplasjet që shkaktuan vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e dhjetëra personave të tjerë./dita