Nga Azem Parllaku
Në kërthizë të Gjallicës, e poshtë këmbëve të maleve e kodrinave përreth, Shishtavecin dhe fshatrat përreth i zgjojnë pelegrinazhet e kurbetqarëve dhe të ikurve të tjerë, në ato pak ditët e verës së shkurtër. Në më të shumtën e kohës, kanë mbetur vetëm pleqtë e disa dhjetra nxënës shkolle. Kur të parët, ishin vendosur në pozicione dominuese këtu, asociuan veten e familjet e tyre, e siç ishte shkruar fati, ata bënë një jetë më të mbyllur, të imponuar nga barriera të fuqishme gjeografike e shpirtërore. Duke bërë kështu një jetë më të “pavarur”, e duke jetuar harmonikisht në bashkësi të ngushtë, këto katunde do të kishin, doket e zakonet e veta, do të manifestonin vyrtyte e veçori të karakterit që, ende i ruajnë.
Historia e popullit në këto anë, ka qenë një luftë e pandërprerë, një ndeshje jo vetëm me natyrën, por dhe me dhunën e sistemeve në kohë të ndryshme. Fshatrat këtu janë më tepër se një tog shtëpish, e rrugicash me tre-katër kroje si vende tradicionale të miqësive femërore. Ato shfaqen si një projektim hapsinor i mardhënieve shoqërore, njëherësh strukturuar nga ndasi që, e bëjnë të dallueshme profanen nga e shenjta, punën nga zbavitja, publiken nga privatja, burrat nga gratë, familjen nga gjithçka tjetër që nuk i përket asaj. Duke i njohur këta njerëz, e kupton se ata i përshkon një frymëmarrje e ngrohtë qytetarie e patriotike.
Tridhjetë kilometra nga qyteti i Kukësit në kufirin ndarës të tre shteteve, dy prej tyre shqiptare dhe tjetrit me pothuaj gjysmën e popullësisë shqiptare, kjo zonë mbeti e mbetet rurale fatkeqësisht. Rruga e shkelur më shumë, është ajo përgjatë Grykës së Vanave, teksa mund të udhëtosh nga Kosova për të mbrrirë në pikat doganore të Shishtavecit dhe të Borjes. Lidhja me Tetovën përmes qafave të Sharrit dhe me Dibrën përmes grykës së Çajës, janë kujtime të së shkuarës. Për të mbrritur deri në Shishtavec ke lënë pas Nimçën e famshme të uraniumit, Topojanin dhe Brekijnë e masakruar nga shovinistët serb, Kollovozin e Havzi Nelës, Shtrezën një fshat i kërcënuar nga rrëshqitjet e masiveve shkëmbore, Novosej i njohur për disidencën, ndërsa më në veri Borjen e “Vajzave të mjegullës”.
Togu i të moshuarve që mbajnë në kokë beretën karakteristike, e kuvendojnë ulur në anë të një ledhi gurësh, si dhe disa parulla të dyzet viteve më parë në fasadat e ndërtesave dykatëshe, të tregojnë se je në qendër të Shishtavecit. Kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë, pushtetarë lokal, misionarë të OJQ-ve, kanë xhirotuar deri këtu, vetëm në ditët kur u është dashur të përkujdesen për votën, apo për të promovuar veprimtari qëllimi i të cilave kurrë nuk është finalizuar. Arkitektura natyrore në këtë copëz të Shqipërisë e bën të larmishme udhëpërshkrimin, teksa është e nevojshme të hidhen në letër idetë për shfrytëzimin e resurseve turistike që, ofrohen këtu.
Pozita gjeografike, kushtet klimatike, hidrografia, flora dhe fauna mjaft e pasur janë elemente mjaft të rëndësishme, që këtij rajoni me potencial të lartë turistik, i krijojnë mundësi për zhvillimin e turizmit sportiv, rural, ekoturizmit, turizmit të gjuetisë etj. Klima është tipike, me reshje të mëdha bore, me shpati të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore. Me shumë maje të larta, burime e rrjedha lumenjsh me gryka e kanione, pyje të larta dhe me një faunë të shumëllojshme që krijojnë një peizazh mjaft të bukur dhe atraktiv për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Është i njohur klubi sportive i skive Morava i Shishtavecit i krijuar rreth vitit 1944. Sportistët e këtij klubi, që nga viti 1952 numrojnë shumë medalje kombëtare të fituara. Pista e skive të Shishtavecit ka pritur shumë garues në mbarë vendin dhe janë zhvilluar shumë kampionate lokale e kombëtate. Infrastruktura rrugore ka penguar rritjen e investimeve dhe ka vështirësuar zhvillimin e turizmit. Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe erskusioneve. Gjatë periudhës së verës zhvillohen shumë udhëtime në forma të organizuara si për qëllime atraksioni ashtu dhe për nevoja kurative. Territori i bjeshkëve me biotopet e ndryshme është shumë i pasur me faunë. Kush janë destinacionet më të preferuara dhe si mund të shfrytëzohen ato?
Kanioni i Vanave
Ndryshe në gjuhën e popullit “Gryka e Vanave” është listuar, si Monument i Natyrës në Shqipëri, i mbrojtur me ligj (Ligji nr.8906, datë 6.6.2002). Si një nga thesaret e Parkut Natyror Korab-Koritnik, Kanioni i Vanave ofron një pamje befasuese e madhështore. I thellë dhe i ngushtë, i zënë në fund nga shtrati i lumit Luma, ai ndan shpatet e thikëta të Gjallicës dhe Koretnikut. Sigurisht që, zhvendosjet tektonike dhe gërryerja në thellësi e lumit, na e kanë falur për t’a shfrytëzuar këtë mrekulli. Qindra metrat pingule të këtij kanioni, mund të kthehen në një destinacion i preferuar për alpinistët vendas dhe të huaj, ndërkohë që rruga Kukës-Shishtavec, e cila kalon përgjatë fundit të tij, krijon mundësinë e shijimit të tjera mrekullive të kësaj zone.
Shpella e Jazeninës
Një mrekulli pak e njohur, kjo shpellë ndodhet në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Konfiguracionet e stalaktiteve në tavanin e shpellës, janë të shumëllojta dhe simbolike. Stalaktiket dhe stalakmiket u drejtohen njëri-tjetrit duke udhëtuar me mijëra vjet. Çdo milimetër nga këto krijesa të jashtëzakonshme të natyrës, krijohet në 30 mijë vjet. Shpella e Jazeninës me siguri ka një moshë dhjetra milionë vjeçare. Gjatë verës temperatura në brendi të shpellës është konstante 15 gradë celsius dhe gjatë dimrit 12-15 gradë. Projektet që, do të synonin eksplorimin e mëtejshëm të shpellës dhe zgjerimin e mjediseve të saj, me siguri do të ofronin supriza, nga ky objekt i rrallë natyror.
Mali i Kallabakut
Është shkëmbor, ndërsa nën këmbët e tij, nusërojnë pllajat plot lule, ujra dhe bar 1400-1500 metër mbi nivelin e detit. Në majën e Kallabakut takohen kufijtë e tre shteteve, dy prej tyre shqiptare Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa tjetri po me shqiptarë Maqedonia. Të ngjitesh në Kallabak, është relativisht e lehtë, përjashtim bën pjesa lindore e tij, nga ku për të kapur majën është paksa e vështirë. Në periudhën Tetor-Prill, mali nuk e heq gëzofin e dëborës, teksa muaji më i preferuar për t’u ngjitur në shpatet e tij, mbetet muaji Qershor. Nëse ke provuar të shkosh deri këtu në majën e Kallabakut, syri i vëmendshëm ka rrokur peisazhin mahnitës, i cili nuk është gjë tjetër vecse një vallëzim i Alpeve, Sharrit dhe Korabit, rit ky i mocëm sa vetë Toka.
Guri i Mëngjesit
Që nga Qershori i vitit 2002 është i listuar si Monument i Natyrës në Shqipëri, ndodhet në Jug të Shishtavecit. Banorët e hershëm të Gradishtës, duhet t’a kenë pagëzuar më shumë se 1500 vjet më parë, për arsyen se ky gur, që shalon në horizont, ka qenë një vendqëndrim dhe orientues, përgjatë rrugëve që kanë lidhur qytetërimet e hershme të ngulitura në kërthizën e vargmaleve të Sharrit. Duhet të ketë qenë vendi, ku banorët e hershëm të këtyre anëve, mblidheshin me kuajt e tyre, për të marrë rrugën drejt Shkupit dhe Tetovës. Është intrigues dhe fakti që, ky gur nga një pjesë e vendasve thirret “Murga”. E nëse është quajtur dhe kështu, patjetër në pllajën nën këmbët e gurit, janë zhvilluar festa masive nga blegtorët e hershëm. Ndërkohë gojdhënat tregojnë se, mban këtë emër ngaqë rrezet e para të diellit lëpyhen përbri gurit. I ndodhur në një lartësi 1900 metër mbi nivelin e detit, Guri i Mëngjesit është nga gurët më të fotografuar, dhe shkuarja deri atje, është destinacioni i preferuar për cdo vizitor, që ngjitet në bjeshkën e Shishtavecit. Ai është një gur ranor në formë konike, me përmasa; 25 metër i gjatë, 13 metër i gjerë, dhe 11 metër i lartë. Vetëm disa metra në lindje të këtij guri, dikur ndante kufiri shtetëror me ish-Jugosllavinë, ndërsa sot, ai kufi është thjeshtë formal midis dy shteteve të shqiptarëve. Jo shumë larg, në Prill të vitit 2015, “udha”që të con nga Shishtaveci drejt Gurit të Mëngjesit mban emrin e të ngarkuarit me punë të Norvegjisë në Shqipëri dhe Kosovë, ambasadorit Jan Braathu, i cili është dhe “Qytetar Nderi” i ish-Komunës Shishtavec.
Ujëmbledhësi në Novosej
Si një projekt në ndihmë të bujqësisë, që nga viti 1985, ujëmbledhësi në fjalë i është shtuar hartës së bukurive të zonës si “Syri i Tokës”, poshtë këmbëve të malit Kallabak. Ujëmbledhësi mund të shfrytëzohet nga të apasionuarit e sportit të ujit, pa lënë pas dore shfrytëzimin e tij si rezervat për kultivimin e peshkut. Në të katër anët e tij ky ujëmbledhës kufizohet me pyllin dhe lëndinat të pasura me bimësi dhe lule.
Shishtaveci preferohet për të shkuarën historike, për peizashet magjike të jug-perëndimit të vargmaleve të Sharrit, për burimet e ujrave të akullt, për shumëllojshmërinë e bimëve dhe luleve, për pistat ku ushtrohet sporti i skive, etj. Nisur nga fakti që, Shishtaveci dhe zona përreth tashmë janë në hartën e destinacioneve që presin vizitorë, me të drejtë konstatojmë se, ka ardhur koha që, turizmi të vlerësohet si prioritet, për zhvillimin e zonës nga grykëderdhja e Vanave deri në Kallabak. Kjo për faktin se: zona zotëron burime të virgjëra natyrore dhe të pashfrytëzuara, të tilla si; Kanioni i Vanave. Pllajat në kërthizë të maleve që shtrihen përgjatë Parkut Kombëtar “Korab-Koretnik” Ujëmbledhësi në Novosej. Masivet pyjore kryesisht ato me mështekën dhe pishë. Lëndina të përshtatshme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive e kulturore. Terrene të përshtatshme për sporte si: ski, alpinizëm, ciklizëm malor, hipizëm, etj. Aktualisht pika të dobëta të turizmit konsiderohen; Kultura e shërbimit nuk është në nivelet e kërkuara. Mungesa e shërbimeve dhe akomodimit për turistët. Informacioni për zonën nuk është i plotë. Në disa pjesë të zonës mungon sinjali i telefonit celular. Promovimi i turizmit të zonës është në nivel shumë të ulët. Guidat turistike për zonën janë inekzistente.