Home KRYESORE Tre shtetet në Europe te shqetësuara nga emigracioni i paligjshëm shqiptar

Tre shtetet në Europe te shqetësuara nga emigracioni i paligjshëm shqiptar

Tre shtete të rëndësishme evropiane kanë theksuar në mënyrë të vazhdueshme, kohët e fundit, se azil kërkuesit shqiptarë po kthehen në problem serioz në Evropë.

Hollanda, Gjermani dhe Franca me atë të ambasadorëve, institucioneve të rendit publik apo dhe me nisma informuese i kanë bërë thirrje shqiptarëve se kërkimi i azilit në këto vende nuk është zgjidhje, pasi asnjë kërkesë nuk pranohet.

Franca ka shprehur pak ditë më parë shqetësim për azil kërkuesit shqiptarë, për faktin se ajo gjendet përballë një situate tejet të vështirë, në pamundësi që t’i strehojë në qendrat e posaçme për refugjatë, pasi ato janë tashmë të mbingarkuara.

Në muajin e ardhshëm, ministri i Punëve të Brendëshme të Francës Gérard Collomb do të vizitojë Shqipërinë për të biseduar me qeverinë lidhur me mundësitë për të frenuar largimin e shqiptarëve drejt Francës.

Ambasadorja gjermane Suzanne Schutz, një ditë më parë, në një intervistë, theksoi se 100 për qind e kërkesave për azil të shqiptarëve në Gjermani refuzohen pasi Shqipëria klasifikohet si vend i sigurtë origjine – në Shqipëri jeta e qytetarëve nuk rrezikohet nga lufta apo gjendje të tjera emergjence.

Qytetarët e vendeve të sigurta të origjinës riatdhesohen pothuajse automatikisht nga institucionet e emigracionit të vendeve pritëse dhe, në përgjithësi, me detyrimin për t’u larguar menjëherë prej tyre.

Ambasadorja njoftoi se e vetmja mundësi për shqiptarët që të jetojnë në Gjermani është një kontratë pune me institucionet apo kompanitë gjermane.

Gjermania, njësoj si Franca, e konsideron Shqipërinë vend të sigurtë origjine, ndaj kërkesat e shqiptarëve për azil nuk pranohen.

Holanda, është një tjetër vend evropian i cili ka ngritur shqetësimin e rritjes së numrit të azil kërkuesve shqipatrë. Holanda është deri më tani shteti që ka marrë masa më konkrete për të ndalur azilkërkuesit shqiptarë. Pak ditë më parë, nisur nga rritja e numrit të azilkërkuesve dhe kriminalitetit nga shtetasit shqiptarë në Hollandë, policia dhe prokuroria holandeze i dërguan një memorandum Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë ku argumentuan se rivendosja e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë mund ta parandalojë këtë fenomen.

Në prill 2017, Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës, Bert Koenders, vizitoi Tiranën dhe diskutoi për emigracionin dhe riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë me homologun e tij.

Ministri Koenders, njoftoi gjithashtu se Holanda do të bëjë fushatë informuese për të bindur shqiptarët të mos emigrojnë drejt Hollandës sepse nuk kanë asnjë të ardhme aty.

Ligjërisht ekziston mundësia që këto shtete të kërkojnë nga Komisioni Evropian pezullimin e liberalizimit të viave për Shqipërinë.

Mekanizmi i pezullimit për marrëveshjet e liberalizimit të vizave, duke përfshirë atë me Shqipërinë, rregullohet përmes Rregullores së BE-së 1289/2013. Sipas kësaj rregulloreje, përjashtimi nga regjimi i vizave për një vend të tretë mund të pezullohet përkohësisht kur kemi të bëjmë me “një situatë emergjence”. Një situatë e tillë mund të ndodhë për shkak të rritjes së papritur të emigrantëve të parregullt, kërkesave për azil apo kërkesave të refuzuara për ripranim./exit.al

Share: