Home KRYESORE Vetingu, ja dosjet e para të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Vetingu, ja dosjet e para të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Institucionet ligjzbatuese, të cilat asistojnë organet e Vetingut për skanimin e trefishtë të drejtësisë shqiptare, kanë përgatitur dosjet e para për disa gjyqtarë dhe prokurorë, mbi ligjshmërinë e pasurive dhe përfshirjen e mundshme në pastrim parash.

Dosjet u përkasin anëtarëve të organeve më të larta të sistemit aktual të drejtësisë, të cilët kanë përparësi kohore në raport me gjyqtarët dhe prokurorët në nivele më të ulëta, për t’iu nënshtruar veprimit të ligjit të Vetingut.

Në kuadër të verifikimit të ligjshmërisë së pasurive të deklaruara dhe të identifikimit të pasurive të fshehura, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave i ka dërguar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive raporte për secilin gjyqtar apo prokuror të kërkuar, mbi transaksionet financiare brenda dhe jashtë vendit.

“Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në zbatim të dispozitave të Ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka asistuar si dhe ka dërguar informacionin përkatës pranë organeve të ngarkuar me këtë ligj, në përgjigje të kërkesave te tyre”, konfirmon DPPP për Shqiptarja.com.

Verifikimi i lëvizjes së parave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka ardhur në zbatim të pikës 2 të nenit 33 të ligjit të Vetingut.

Pika 2 parashikon që ILDKPKI-së, për qëllimet e rivlerësimit, mund të kërkojë nëpërmjet DPPP dokumentet për pasuritë në pronësi të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta, dokumentet që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta, ose të dhënat financiare mbi çdo transaksion financiar brenda ose jashtë vendit në përputhje me ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta.

Ndërkaq, dokumentet e DPPP do të jenë pjesë e dosjes së ILDKPKI, që do të referojë në organet e Vetingut për secilin gjyqtar apo prokuror, sipas përparësisë. Këto dokumente ose informacione përdoren në cilësinë e provave përpara Komisionit ose Kolegjit të Apelimit. Pra, dokumentet mund të jenë përcaktuese për fatin e një gjyqtari apo prokurori.

Ja çfarë përmbajnë dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Dosjet e përgatitura nga ILDKP për çdo gjyqtar apo prokuror, do të pasurohen më tej me dokumentacione nga ekspertët ndërkombëtarë nga SHBA-BE, të cilët sipas ligjit kanë fuqi që të hetojnë mbi pasuritë e njerëzve të drejtësisë. Krahas përfaqësuesve të ONM, edhe Komisioni dhe Kolegji i Apelimit mbledhin prova për të verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve të bëra nga subjektet e rivlerësimit.

Në këtë kuadër, ILDKP dhe DPPP kryejnë vetëm fazën e parë të hetimit.

Dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përpos konstatimit të ILDKP nëse kanë bërë deklarim të saktë, nuk justifikojnë pasurinë me dokumentacion ligjor, kanë fshehur pasurinë, kanë kryer deklarim të rremë apo janë në konflikt interesi, do të përmbajnë të dhëna mbi pasuritë e paluajtshme, të regjistruara në regjistrin e pasurive të paluajtshme, ose të përfituara nga një akt noterial i paregjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Dosja do të përmbajë informacion mbi llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet, të dhënat për hyrje-daljet në kufi.

Të dhënat e tjera
Dosja e prokurorit dhe gjyqtarit që do t’i dështohet Vetingut do të përmbajë gjithashtu dokumentet mbi të drejta ose interesa pasurorë të çdo lloji mbi një aset, qoftë ky i luajtshëm ose i paluajtshëm, i trupëzuar ose i patrupëzuar, material ose jomaterial, përfshirë dhe ato të evidentuara në formë elektronike ose numerike.

Këtu përfshihen kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur ose vlerë tjetër që buron prej tyre. Pjesë e dosjes do të jenë të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi, veprimtari tregtare ose veprimtari të tjera profesionale të gjyqtarit apo prokurorit.

Pjesë e dosjes do të jenë të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike ose mjeteve ose instrumenteve të tjera të tregut të parasë dhe/ose të pagesave, ku përfshihen, por pa u shteruar, çeqet, dëftesat, certifikatat e depozitave, kartat e debitit ose të kreditit, kartat elektronike të pagesave, titujt, si dhe çdo dokument tjetër që vërteton ekzistencën e një detyrimi monetar ose një vlere tjetër të depozituar.

Dosjet e para
Institucionet ligjzbatuese, të cilat asistojnë organet e Vetingut për skanimin e trefishtë të drejtësisë shqiptare, kanë përgatitur dosjet e para për disa gjyqtarët dhe prokurorë, mbi ligjshmërinë e pasurive.

Ekspertët
Dosjet e përgatitura nga ILDKP për çdo gjyqtar apo prokuror, do të pasurohen më tej me dokumentacione nga ekspertët ndërkombëtarë nga SHBA-BE, të cilët sipas ligjit kanë fuqi që të hetojnë mbi pasuritë e njerëzve të drejtësisë. /360grade.al/

Share: