Reforma zgjedhore duhet të fillojë që ditën e parë të punës së parlamentit. Kështu u shpreh ambasadorja e BE në vendin tonë Romana Vlahutin.
“Kjo reformë nuk duhet të fillojë në momentet e fundit, që mos të arrihet dot shumë”, u shpreh Vlahutin gjatë një intervistë në emisionin Kapital me gazetarin Aleksander Furxhi.
“Unë mendoj që këtë herë reforma zgjedhore duhet të fillojë që me ditën e parë të punës se Parlamentit, jo në momentet e fundit që mos të arrihet dot shumë. Siç e thatë edhe ju, raporti përfundimtar i ODIHR-it do të dale dhe ne do ta studiojmë atë me kujdes. Reagime menjëherë pas zgjedhjeve mendoj që ka pasur edhe pak kundërshti edhe pak kërkesa për rinumërim. Janë shqyrtuar dhe besoj se të gjithë partnerët në proces e kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe kështu e kemi kuptuar edhe ne”, tha Vlahutin.
Në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE, Vlahutin tha se Shqipëria ka ecur gjatë gjithë kohës dhe sipas saj i takon BE që ta kuptojë këtë gjë e të bëjë një vlerësim, nëse kjo lëvizje është e mjaftueshme.
Vetingu, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, është kyç tha Vlahutin dhe duhet të tregojë rezultate përpara se komisioni të konfirmojë rekomandimin e vëtë.