Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Studio e Hapur” në News24 duke zbuluar një të pathënë deri tani në lidhje me ngjarjen e Elbasanit dhe operacionit ku u sekuestruan rreth 1 milion euro pasuri.
Demiraj tha se janë zbuluar tunele të grupeve kriminale, duke i krahasuar me Afganistanin. Duke analizuar videon e momentit të goditjes së makinës së nëndrejtorit të policisë, Demiraj thotë se duket qartë se policët kanë frikë të ndërhyjnë“Që në momentin që kam marrë detyrën, jam njohur me këto problematike. Situata në Elbasan ka qenë edhe më parë problematike.
Por masat e marra nga policia kanë qenë të hollësishme. Kur kam qenë unë për 4 muaj në detyrë nuk ka pasur këto probleme. Puna e policisë duhet të ishte më konkrete. Përveç atyre elementeve që zoti Hoxha shpjegoi, një nga gjërat kryesore të këtyre grupeve është logjistika e tyre. Nëqoftëse do analizojmë vendin ku jetojnë e punojnë, si në tunelet e Afganistani, kam informacione. Janë zbuluar tunele ku banda ka fshehur armatime të rënda dhe kjo dihet nga policia. Kjo ngjarje është bërë jo pa qëllim me vonesë. Nuk do t’i bënim nder asnjë institucioni nëse nuk bënim dot një analizë. Nga pamjet duket se policia ka frikë të ndërhyjë. Asnjë nga policët nuk vepron, nuk futet brenda që do të thotë policia nuk është në gjendje të realizojë misionin e vet”, tha Demiraj.Nga ana tjetër, Ndreu duke i dalë në mbrojtje policisë, tha se policia lokale nuk ka kapacitetet e duhura dhe nuk ka qenë e përgatitur.
“Policia lokale nuk i ka kapacitete e duhura të momentit dhe nuk ka qenë e përgatitur. Policia lokale shpesh herë është më shumë evidentuese dhe ndërhyn në disa situata të zgjidhshme por jo tek personat me rrezikshmëri të lartë. Policia është kapur e papërgatitur. Kam rezervat e mia por duhet të kemi parasysh kapacitetet lokale të policisë”, tha Ndreu.
Nga ana tjetër ish-ministri Demiraj theksoi dhe njëherë se nga 6 policë që janë në video, asnjë nuk futet në pronë private. “Ne e mbështesim policinë, nuk kemi ardhur të bëjmë politikë. Ajo që është e rëndësishme për t’u realizuar, kemi 6 policë që nuk futen në pronë private. Një pjesë e policisë ka frikë të veprojë në pronat private. Është e kapur”, tha Demiraj.
“Nuk ka kapacitet policia lokale. Kujtojmë se në Durrës lamë 4 të vrarë”, u shpreh Ndreu. Por Hoxha duke e kundërshtuar tha se “Atje ishin palë me tjetër kënd policët. Atje i kemi lënë dëshmorët kot”. “Ne policinë lokale e kemi dubluar. Policia lokale e ka mbajtur nën kontroll”, vijoi Ndreu.