Ne, Unioni Mbarkombëtar i të Përndjekurve Politikë, Partia e të Drejtave të Mohuara e re, vërejmë se kohët e fundit “përndjekja politike” dhe “ish të përndjekurit politikë” kanë rifilluar të keqpërdoren nga politika e sotme.
Ne, përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të kësaj shtrese sjellim në vëmendje se në 27 vjet tranzicion, i gjithë establishmenti politik ka abuzuar me termat “e djathta”, “ish pronarët”, “ish të përndjekurit”. Edhe pse formalisht, hera herës “ua ka qarë hallin”, veprat e këtij establishmenti kanë qenë vijim i luftës së klasave të strukturuar nga Komunizmi dhe Sigurimi i Shtetit, duke i lënë këto shtresa edhe sot pas dore, duke u mohuar të drejtat themelore e legjitime si prona, pasuritë e konfiskuara, kompensimet për ekzekutimet, burgosjet, etj.
Në Parlamentin e ri, establishmenti i ka përjashtuar edhe fizikisht këto shtresa. Por në ditët e para të nisjes së Sesionit të ri, në doemosdoshmërinë e një fije morali para asaj që po ndodhte me zgjedhjen e Ministrit të Brendshëm të Ramiz Alisë Kryetar Parlamenti, hetuesit të Enver Hoxhës si Ministër të Brendshëm, birit të Sekretarit të Parë të PPSH të Shkodrës, Sulejman Bushati Ministër të Jashtëm dhe bijës së anëtarit tjetër të Byrosë Politike Llambi Gegprifti , ministre shteti, Partia Demokratike u kujtua për përndjekjen.
Pas më shumë se çerek shekulli gënjeshtrash e zhgënjimesh, të shpronësuarit prej komunizmit, të persekutuarit prej komunizmit, shqiptarët që besojnë në të djathtën tradicionale, i kërkojnë këtij establishmenti: LARG DUART NGA PËRNDJEKJA! Çdo tentativë për abuzim me ne dhe vuajtjet tona do të marrë përgjigjen e merituar!