Home KRYESORE Kamenos: Duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë.

Kamenos: Duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë.

Në një konferencë shtypi në Selanik, ministri grek i Mbrojtjes dhe njëkohësisht kreu i partisë së djathtë të koalicionit qeveritar “Grekët e pavarur”, Panos Kammenos, i pyetur nga gazetarët i është referuar deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Parlament, që cilësoi Greqinë në fjalimin e tij si një vend fqinj, me të cilin ka ende probleme të pazgjidhura.

“Me Shqipërinë do të donim të kishim marrëdhënie të mira. Nuk kanë asnjë arsye, as të na sfidojnë dhe as të shkaktojnë probleme te minoriteti grek. Kanë edhe ata interes, si një vend i NATO-s, të përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet me Greqinë”, tha Panos Kammenos, ministër i Mbrojtjes.

Pasi ka vlerësuar kreun e diplomacisë greke, Nikos Kotzias, si një nga ministrat e Jashtëm më të mirë të Greqisë, Kammenos ka theksuar se fqinjët e Greqisë duhet të izolojnë zërat dhe elementët ekstremistë.

“Përsa i përket faktit nëse kemi frikë në nivel mbrojtjeje, ju them se nuk ia kemi frikën askujt. As atyre që nuk kanë forcë ushtarake, dhe as atyre që kanë. Të gjithë ne duam që fqinjët tanë të mos udhëhiqen nga ekstremistë, por nga udhëheqës moderatorë, të cilët të mund të krijojnë një klimë sigurie dhe zhvillimi në rajonin tonë”, tha Panos Kammenos.

Ministri grek i Mbrojtjes është pyetur edhe për 7 rekrutët e ushtrisë greke, që pozuan duke formuar me pëllëmbë shqiponjën dykrenare.

“Ata që krijuan atë sfidë morën dënimet e parashikuara, si nga unë, ashtu dhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Por, nga ana tjetër, ai imazh që u pasqyrua nuk është i vërtetë”, tha Panos Kammenos.

Sipas ministrit, në ushtrinë greke ka edhe shumë fëmijë të emigrantëve shqiptarë, të cilët shërbejnë me nder dhe janë shembull në shërbimin ushtarak, duke vërtetuar se duan edhe atdheun e tyre Shqipërinë, por edhe atdheun e dytë Greqinë, vendin ku ose janë lindur, ose janë rritur./t.ch

Share: