Fjalën e parë në parlament, Izmira Ulqinaku, deputete e Shkodrës nuk e nisi me përshëndetjen e kryetarit të parlamentit. Duke u prezantuar si mbesa një prej dëshmorëve të protestës së 2 prillit në vitin 1991 në Shkodër ajo e quajti Gramoz Ruçin, njollën më të zezë të parlamentit pluralist shqiptar.
“Etika ma do që fjalën ta filloj siç do ishte më normalja, duke përshëndetur edhe kryetarin e Kuvendit por historia e familjes time nuk ma lejon. Jam mbesa e një prej dëshmorëve të 2 Prillit të vitit 1991. Nuk e kisha menduar se do të flisja ndonjëherë në parlamentin shqiptar, pas 27 viteve pluralizëm dhe kryetar i saj të ishte Gramoz Ruçi, protagonisti i ngjarjes. Vendosja e ish ministrit të Brendshëm të diktaturës komuniste përbën një prej njollave më të zeza të parlamentit pluralist shqiptar. Zoti kryeministër, kur në kabinetin qeveritar përfshitë dy shkodranët Mesi e Bushati i kam mirëpritur me shpresën se edhe pse i përkasin krahut tjetër politik, mund të kenë një qasje më të mirë me Shkodrën ndryshe nga ajo që kanë ndodhur katër vitet e fundit në qeverisjen tuaj. Por, vendosja e zotit Ruçi në krye të Kuvendit jo vetëm është një karshillëk ndaj të gjithë të persekutuarve dhe atyre që vuajtën diktaturën komuniste, por mbi të gjitha është një përdhosje e qytetarisë shkodrane e cila u persekutua nga ai regjim.” tha Ulqinaku.
Kur deputetja e Shkodrës, Izmira Ulqinaku i ka përmendur Gramoz Ruçit protestat e vitit 1991, ky i fundit i është përgjigjur me ironi.
“S’ke faj se në 91, ti nuk kishte lindur akoma. Në 92 ishe një vjeçe. Gramoz Ruçi në 92 ka qenë në mes të Piacë në Shkodër, në mes të gjyqit. Dhe nuk është faji jot, që nuk e ndiqje dot marrëdhënien e Ruçit me shkodranët. Se unë shkova me duar në xhepa dhe më kanë përshëndetur të gjithë votuesit e tu” u shpreh Ruçi. Pasi deputetja e PD-së kërkoi fjalën për të replikuar me kreun e kuvendit ky i fundit nuk e lejoi./Lapsi.al