Home KRYESORE Në ndjekje të ideve të Profesor Fugës dhe Profesor Xhepës, por në...

Në ndjekje të ideve të Profesor Fugës dhe Profesor Xhepës, por në këndvështrimin tim

Nga Kasem Seferi

Në një prej librave me titullin “Një vështrim mbi modelin ekonomik” kam shkruar sa më poshtë vijon:

Në veprën e tij “The Wealth of Nations – Pasuria e Kombeve”, themeluesi i shkencës klasike të ekonomisë, Adam Smith (1776, faqe 1), do të deklaronte se përpjestimi ndërmjet prodhimit vjetor të një kombi dhe numrit të njerëzve që duhet ta konsumojnë atë prodhim varet nga “aftësia profesionale, zotësia dhe gjykimi me të cilat zbatohet zakonisht puna e tij.”.

Në dekadat e fundit, analistët e produktivitetit ekonomik me studimet e tyre, kanë vërtetuar gjetje se mbi cilësinë e forcës punëtore ka influencuar një shumësi faktorësh që përfshin, ndër të tjerë, strukturën e moshës dhe përvojën e fuqisë punëtore, pjesëmarrjen e fuqisë punëtore femërore dhe emigracionit.

Një prej përcaktuesve më të rëndësishëm të cilësisë së fuqisë punëtore është numri i viteve të shkollimit.

Tashmë është bërë i njohur fakti që akumulimi i kapitalit fizik, tregtia e jashtme dhe përparimi teknologjik përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë profesionale të njerëzve që, si rezultat, influencojnë në rritjen ekonomike të vendit.

Megjithatë, përvoja botërore ka treguar se hamendja që shkollimi është një parakusht i domosdoshëm për rritjen ekonomike, është unik dhe i përbashkët.

Në fakt, një influencë më makro ka kompozimi i ndryshimit sektorial të ekonomisë, sepse sugjerohet se, sektori i shërbimit dhe ai i prodhimit të fabrikuar, kanë përdorime më funksionalë për punën e arsimuar se sa sektori agrobiznesit.

Prandaj, zhvendosja nga agrobiznesi në industri do të çonte, veçanërisht, në një përdorim më të madh të punës së arsimuar, e cila si përgjigje do të kërkonte forca punëtore më të arsimuara.

Por kjo nuk do të thotë se fermerët nuk kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm të shkollimit në kushtet dhe rrethanat e krijuara në proçesin e integrimit të ekonomisë së vendit në BE, veçanërisht, kur bëhet fjalë për turizmin, agroindustrinë dhe agrobiznesin.

Përparimi teknologjik do të priret në drejtim të forcimit të kërkesës për një forcë punëtore më të arsimuar me qëllim që përparimi teknologjik dhe aftësitë profesionale të plotësojnë njëra tjetrën ashtu sikundër kërkohet shpeshherë.

Ekonomistët e kanë përgjithësuar ndikimin e shkollimit mbi cilësinë e forcës punëtore në konceptin e kapitalit njerëzor, i cili u referohet investimeve që bëjnë për vetveten qeniet njerëzore për të rritur produktivitetin e tyre ekonomik.

Këto investime mund të marrin shumë forma dhe mund të përfshijnë jo vetëm shkollimin, por gjithashtu kurset e ndryshme për nxënësit në ekonomi.

Madje, disa ekonomistë kanë sugjeruar se faktorët shoqërorë më amorfë të tillë si besimi, tradita institucionale, njohuritë teknologjike dhe inovacioni mund të shihen të gjithë si forma të kapitalit njerëzor.

Kështu që kapitali njerëzor shfaqet gjërësisht si kandidati kryesor për të shpjeguar shumë për diferencën që kanë vendet me kalimin e kohës në rezultatin e rritjes ekonomike.

Megjithëatë, për të fituar një pamje të brendshme më të mirë në hapsirën aktuale dhe në atë të kanaleve të influencës me anë të të cilave kapitali njerëzor mund të influencojë rritjen ekonomike, kërkon si specifikimin e natyrës ashtu dhe të përcaktuesve të kapitalit njerëzor, pa lënë mënjanë mënyrën se si ndikon kapitali njerëzor mbi prodhimin agregat në një ekonomi.

Zakonisht, ekonomistët pretendojnë se arsimi prodhon përfitime në shoqëri, mbi dhe nën ndikimin e tij mbi produktivitetin e tregut të punës, që perceptohet nga personi që shkollohet.

Këto përfitime përfshijnë jo vetëm ndikimet në produktivitetin ekonomik, të tillë si ndikimet në përparimin teknologjik, por dhe përfitime të tjerë shoqërorë si rritja e përqindjeve të popullsisë së shkolluar dhe të shëndetit të saj, demokratizimi, stabiliteti politik dhe të drejtat njerëzore, mjedisi, zvogëlimi i varfërisë dhe i pabarazisë, krimi dhe përdorimi i drogës, si dhe rritja e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore, të cilat kanë pasoja për prospektet e rritjes ekonomike afatgjatë.

Prandaj Adam Smithi në diskutimin e tij për shkollimin në masë në “The Wealth of Nations – Pasuria e Kombeve” e vuri më shumë theksin mbi vlerat e arsimit për shtetin në shtimin e rregullit shoqëror dhe mirësjelljes ndërkohë që zvogëlohet prirja e natyrshme në supersticionin popullor se sa në vlerat e tij të menjëhershme në shtimin e produktivitetit ekonomik të punëtorit individual.

Studimet empirike dëshmojnë se qëndrueshmëria e nivelit arsimor të vendit ka një ndikim të fortë mbi përqindjen e rritjes ekonomike se sa përqindja e ndryshimit të qëndrueshmërisë arsimore.

Megjithë rëndësinë që ka shkollimi në masë, qëndrueshmëria dhe përmirësimi i saj, nuk duhet harruar se rritja ekonomike është rezultat i ndikimit të shumë faktorëve të tjerë.

Duke i parë me interes të veçantë trajtimin e Profesor Fugës dhe atë të Profesor Xhepës (në drejtim të sigurimit falas të arsimit të lartë nga ana e shtetit dhe kostos reale të vendeve anëtare të BE – së ku duam të integrohemi), mendoj se POZITIVJA në idetë e dy profesorëve plotëson një ide madhore, atë të cilësisë së arsimit, ose më saktë një diplomë të barabartë për nga vlerat me ato të vendeve anëtare të BE – së.

Në asnjë vend të botës së përparuar nuk ekziston mundësia që e gjithë popullsia të arsimohet në nivelin e lartë të universiteteve. Ndoshta, përzgjedhja e atyre që e meritojnë të përzgjidhen për t’u shkolluar në arsimin e lartë falas nga shteti nuk do të thotë privim nga e drejta për t’u shkolluar për pjesën tjetër.

Kështu do të zhvillohen të gjitha kushtet për konkurrencë, do të ngrihet interesi për të mësuar, do të eleminohen kushtet dhe rrethanat që nxisin korrupsionin, do të nxiten kompanitë vendase dhe të huaja për të ushtruar praktikat e interesit për të talentuar, etj, etj.

Nga përvoja jo e gjatë si lektor në Universitetin LUARASI (në Programin Master Juridik) dhe në Shkëllën e Lartë të Magjistraturës, kam vënë re diferenca tejet të dukshme në nivelin e njohurive ndërmjet studentëve të përzgjedhur për në Shkollën e Lartë të Magjistraturës dhe studentëve të Programit Master të Universitetit LUARASI, nga i cili ishin përzgjedhur disa prej tyre.

Është koha kur duhet të merret një vendim rezultatet e të cilit do të shihen në një ardhme afatgjatë. Tek e fundit tani është koha për të mbjellë dhe jo për të korrur.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: