Pak ditë më parë, Spartak Ngjela kërkoi arrestimin e myftiut të Tiranës, Ylli Gurra, për shkak të debatit që shpërtheu mbi figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
“A kanë forcë shqiptarët të arrestojnë dhe të dënojnë myftiun Ylli Gurra? Ky është një barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit.
Një osman barbar na quan turq ne shqiptarëve që jemi populli më i vjetër i Europës, pasardhës të Aleksandrit të Maqedonisë; Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Fan Nolit Gjergj Fishtës dhe të shënjtores së madhe Nënë Tereza?
Nëse kjo prokurori e dominuar nga hordhitë otomane Berishë- Beograd, nuk respekton Kodin Penal për fyerje të tharmit shqiptar nga një barbar, kjo do të përbëjë krim që do ta ndjekë vetë prokurorinë e sotme kompetente shqiptare, menjëherë sa të formohet SPAK”, tha Ngjela dy ditë më parë.
Vizion Plus raportob se pas këtyre deklaratave, myftiu i Tiranës, Gurra dhe avokati Ngjela kanë pasur një takim së bashku, takim i cili ka bërë që avokati të tërhiqet nga qëndrimi i tij fillestar.
“Ai më tha se nuk e kishte thënë kurrë që ‘shqiptarët janë turq”. Në rregull i thashë. Nëse është kështu unë tërhiqem nga aksioni im për të bërë padi. I thashë se kisha dëgjuar imamët e tij ta thoshin me zë këtë.
Atëherë ai prapë krijoi rezervën e vetë dhe më tha: Nuk janë imamë zyrtarë. Janë të vetëshpallur imamë. Unë nuk mbaj përgjegjësi për ata që janë vetëshpallur imamë dhe kanë hyrë në një xhami që nuk është në strukturën time, të Komunitetit Mysliman”. Dhe këtu kishte të drejtë”, tha avokati për Vizion Plus, pas takimit me myftiun Gurra.
Pas ndezjes së debatit mbi “mbulimin” e bustit të Skënderbeut, Myftiu Gurra, edhe pse i kërcënuar me jetë, mbajti një qëndrim publik ku tha se “motrat dhe vëllezërit e krishterë i garantoj se nuk ka qenë asgjë e qëllimtë.
Feja islame e ka mision po aq të shenjtë sa myslimanizmin, edhe nderimin dhe promovimin e figurave që kanë bërë kombin”.
Disa ditë më parë, Gurra dhe Ngjela u përfshinë në debat për çështjen e ‘mbulimin’ të monumentit të Skënderbeut gjatë faljes së Bajramit ditën e premte, Spartak ku Ngjela, nëpërmjet një postimi në facebook e cilësoi si “palaço”, ndërsa kërkoi edhe arrestimin e tij.
Pas kësaj Gurra deklaroi se avokati do të përballet me drejtësinë/lapsi.al