Në Presidencë ka mbërritur e firmosur kërkesa e Kryeministrit Rama për dekretimin e Qeverisë së re. TCH raporton për një risi në emërtimin e Ministrisë së Jashtme. Tanimë dikasteri i drejtuar nga Ditmir Bushati, do të quhet Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Mesa duket, Edi Rama ka reflektuar në këtë ndryshim, njëfarë shqetësimi që ngjalli mungesa jo vetëm e shkrirjes së Ministrisë së Integrimit Europian, po edhe thjesht mungesa e termit “integrim europian” në përbërjen e kabinetit të ri, shqetësim që u shpreh dhe nga ambasadori i BE në Tiranë.
Por njëkohësisht, Kryeministri e ka plotësuar këtë boshllëk semantik në ballinën e qeverisë së re, duke zgjedhur emërtimin Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Padyshim që ky emërtim e mbyll debatin qoftë për strehën e re të ministrisë së vjetër të Integrimit, qoftë për praninë e termit Europë në përbërjen e Qeverisë së re.
Por nga ana tjetër, emërtimi i ri i Ramës duket sikur thotë se Shqipëria është në Europë, ka një ministri për Europën dhe Integrimi nuk është më një shtojcë ministrore apo semantike, po një aspekt i përkatësisë europiane të Shqipërisë.
Po duket se në emërtesën e re të Ministrisë, tashmë për Europën ka edhe një mesazh edhe ndaj europianëve që e vënë në pikëpyetje integrimin e Shqipërisë, për shkak të shumicës myslimane.